Edhe Teatri Kombëtar, që për shkak të COVID-19, shfaqjet i ka zëvendësuar me mbrëmje poetike, ka pezulluar dy shfaqje teatrore programuar për këtë sezon: “Coriolanus” me regji të Altin Bashës dhe”Borgjezi Fisnik”, Erik Vinger.
Artistët e Teatrit Kombëtar për shkak të pademisë, prej muajit mars të këtij viti e kanë zhvendosur aktivitetin online, prej shtëpie. Nga tre projektet e prezantuara në kalendarin artistik për muajt shtator 2019 deri në qershor të 2020-ës, është ngjitur në skenë vetëm “Galaksia”, apo ndryshe “Skena nga një ekzekutim”, me regjinë e Rovena Lules. Ndërsa, dy projektet “Coriolanus”, nën regjinë e Altin Bashës dhe “Borgjezi fisnik” me regji nga Erik Vinger, përkatësisht të financuara nga buxheti i shtetit, secila me 5 500 000 lekë, janë pezulluar, sikur janë shprehur ata për mediet.
Cilat janë projektet që kishit planifikuar deri në mbyllje të sezonit janar-qershor 2020?
Këto projekte janë të pasqyruara dhe në kalendarin artistik (shtator 2019 – qershor 2020) dhe konkretisht për periudhën e kërkuar nga ana juaj projektet e planifikuara janë:
– Projekti “Skena nga një ekzekutim” me regji të Rovena Lules, i cili është realizuar qind për qind.
– Projekti “Coriolanus”, me regji të Altin Bashës (Periudha e përgatitjes dhe realizimit, shkurt – 7 prill 2020) pezulluar.
-Projekti ” Borgjezi Fisnik”, me regji nga Erik Vinger (Periudha e përgatitjes dhe realizimit, mars – 22 maj 2020).
Çfarë projektesh apo aktivitetesh të programuara nga institucioni, janë pezulluar për shkak të COVID-19?
Projektet e pezulluara janë: “Coriolanus” dhe “Borgjezi Fisnik”, si dhe disa projekte nga skena e pavarur apo projekte në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës etj. (referuar kalendarit artistik, të pasqyruara në faqen zyrtare dhe “Facebook”, të institucionit).
Sa është fondi i projekteve të pezulluara në total?
Fondi i projektit “Coriolanus” i planifikuar në total, është 7.100.000 lekë, nga buxheti i shtetit do të financohen 5.500.000 lekë, ndërsa pjesa tjetër 1.600.000, është planifikuar me sponsorizim.
Fondi i projektit “Borgjezi fisnik” i planifikuar në total, është 6.500.000 lekë, nga buxheti i shtetit do të financohen 5.500.000 lekë, ndërsa pjesa tjetër 1.000.000 lekë është planifikuar me sponsorizim nga ambasada franceze.
Çfarë do të ndodh në këtë rast, si do të menaxhohen fondet?
Do t’i përgjigjesha, thjesht dhe qartë. Sipas vendimit të qeverisë, nëse gjendja e jashtëzakonshme do të përfundojë në fund të muajit qershor, kohë kur ne na mbaron dhe kalendari artistik. Sigurisht, në varësi dhe të lejimit nga qeveria të grumbullimeve publike, siç janë dhe disa institucione të kulturës, ku bëjmë pjesë dhe ne, do të na duhet të hartojmë strategji të reja për vazhdimësinë e punës dhe “aktiviteteve artistike”, që mund të jenë të formës online, ashtu siç kemi vepruar gjatë kësaj periudhe.
Cilat janë iniciativat e institucionit tuaj këtë periudhë, për të qenë pranë publikut edhe pse, jo drejtpërdrejt?
Këtë periudhë, Teatri Kombëtar, si dhe disa institucione të tjera të artit e kulturës, kemi punuar fort për të qenë online, pranë publikut dhe gjithë qytetarëve të vendit. Teatri nëpërmjet projektit “The show must GO ON”, mendojmë se ia ka arritur qëllimit për të cilin u krijua, duke qenë i pranishëm në shtëpitë e të gjithëve.
Nëse kjo situatë do të zgjasë a keni një plan rezervë?
Ju e dini që me urdhër të qeverisë, janë pezulluar dhe aktivitetet artistike, pra dhe puna në Teatrin Kombëtar. Pjesa më e madhe e administratës punon online, ndërsa pjesa e mbetur punon me kohë të pjesshme në zyrë, në vartësi me nevojat e institucionit.
Përsa i përket planit rezervë, për periudhën pas muajit qershor, ai do të vijë pas konsultimeve dhe punës me të gjithë administratën dhe artistët, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Deri atëherë, Teatri Kombëtar punon çdo ditë, për realizimin e projektit online, të cituar më sipër “”The show must GO ON”.