MENU
klinika

Pas “tradhtisë” i këndon dashurisë në breg të detit

Alban Skënderaj romantik i pandreqshëm

01.06.2020 - 09:29

Ndonëse nuk dihet ende se si do të funksionojë sezoni veror për të gjithë këngëtarët, disa prej tyre kanë zgjedhur të vazhdojnë të punojnë për të sjellë projekte të reja muzikore. I fundit që ka treguar planet e tij ka qenë artisti i njohur, Alban Skënderaj, i cili ka publikuar së fundmi një foto nga xhirimet e projektit më të fundit.

“Je spirancë në detin tim, je kripë e verës sime. Së shpejti”, ka shkruar Albani krah postimit ku shfaqet buzë detit, duke shijuar rrezet e diellit me një veshje pranverore. Skënderaj nuk ka bërë të ditur një datë rreth publikimit të këtij projekti, por me siguri kjo këngë do të shoqërojë të gjithë fansat e Albanit për verën 2020.

Ky do të jetë projekti pas karantinës i Alban Skënderajt, i cili pas 12 vitesh lidhje dhe dy fëmijë me Miriam Canin, u vetëdeklarua si “tradhtar”. Këngëtari shumë i dashur për publikun shqiptar publikoi projektin e tij muzikor të titulluar “Ki mëshirë”, në të cilin si kurrë më parë shfaqej në rolin e një tradhtari.

Kënga me tekst të vetë Albanit erdhi ndryshe si në tematikë, po ashtu edhe në klip, i cili duhet ta pranojmë ishte nga më të bukurit që kemi parë. Pas disa materialeve muzikore në rolin e të dashuruarit dhe romantikut të përhershëm, Alban Skënderaj u rikthye ndryshe këtë herë, kthesë që me sa duket u pëlqeu edhe fansave të tij, të cilët shpërthyen me komente pozitive nëpër rrjete sociale, duke e përfolur për herë të parë në jetën e tij si tradhtar.

Kujtojmë që Albani është ndër artistët e rrallë që nuk përflitet për scoope me tradhti apo pabesi në jetën e tij me Miriam Canin. Ai së fundi është bërë baba për herë të dytë, ndërkohë që vitin e kaluar kurorëzoi me martesë historinë 12-vjeçare me Miriamin. Pas 12 viteve lidhje, çifti i famshëm Alban Skënderaj dhe Miriam Cani kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre, në 7 maj 2019.

Lajmin e bëri të ditur vetë çifti në rrjetet sociale, ku kanë ndarë edhe momente nga ceremonia, ku sigurisht ishte e pranishme edhe vajza e tyre, Amelia, ndërkohë që Miriami ishte shtatzënë me fëmijën e dytë. Të tre të veshur me të bardha, lumturia e tyre dukej qartë në fytyrat e gëzuara.

“U deshën 12 vite që të quheshim zyrtarisht burrë e grua, por në zemër kemi qenë dhe jemi ende ata dy të rinj ëndërrimtarë, që përtej ceremonive gjithmonë e kanë ndjerë thellë në shpirt se janë bërë për njëri-tjetrin. Po … deri sa vdekja të na ndajë! 7 maj, 2019”, shkruante këngëtarja Miriam Cani në postimin e celebrimit. Nuk mungojnë duetet e tyre që ia kushtojnë dashurisë së fortë që kanë me njëri-tjetrin, ndërkohë që Albani ka vendosur t’i rikthehet vetvetes si romantiku i pandreqshëm në këngë, pas projektit ku u komentua si “djali tradhtar”.