MENU
klinika

Atë Zef Pllumi

Autori i “librit të shenjtë” të kujtesës!

25.06.2020 - 06:09

Më poshtë po paraqesim besnikërisht Curriculum Vitaen e tij, punuar nga ai vetë deri në një pikë dhe më pas përfunduar nga Provinca Françeskane Shqiptare dhe botuar në librin më të ri të Atë Zef Pllumit “Dhetë Vjet Liri”, të konsideruar nga autori si pjesa e katërt e “Rrno për me tregue”.

Atë Zef Pllumi lindë në rrethin e Lezhës më 1924 nga malsorë me origjinë të Shkrelit të Malsisë së Madhe.

Në moshën shtatë vjeçare hin në Kolegjen Françeskane në të cilen fillon e mbaron studimet.

Në Dhetor 1946, kur qeveria komuniste mbyll Kuvendin Françeskan në Shkodër arrestohet dhe dënohet me tri vjet burg, të cilat i ban përveç kohës së izolimit dhe në kampet e punës së detyruar në Beden të Kavajës dhe Maliq të Korçës nga ku lirohet në vjetin 1949. Kthen përsëri në Kuvendin Françeskan në Shkodër.

Në vjetin 1958 emnohet famullitar i Shoshit, ndër male të Dukagjinit ku jeton deri në vjetin 1967. Me mbylljen e kishave në 1967 arrestohet përsëri dhe dënohet me 25 vjet të cilat i kalon në bonifikimin e kënetës së Nartës në Vlonë, në ndërtimin e uzinës së Ballshit, në burg të Zejmenit Lezhë dhe në Shën Vasil të Sarandës.

Lirohet në vjetin 1989. Në vjetin 1990 vjen në Tiranë ku vepron për rikthimin e lirive fetare e hap kishën françeskane. Ne vjetin 1993 me nji grup intelektualësh rifillon botimin e Revistës kulturore “Hylli i Dritës”. Ka shkrue artikuj të ndryshem ndër organet e shtypit si dhe ka botue dy vëllime të kujtimeve me titullin “Rrno vetëm për me tregue”. (Deri këtu është shkruar nga vetë Atë Zef Pllumi).

Në vjetin 2001 boton vëllimin e tretë të veprës monumentale “Rrno për me tregue”. Botoi veprën e njohun “Françeskanët e mëdhaj” në vjetin 2001. Po në këtë vit botoi poemën antiepike “Atipoezi për shekullin njizetë”. “Ut heru dicebamus – Siç thonim dje” në vjetin 2002, dhe “Para nji mijë vjetve” në vjetin 2003. Ndërsa “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodres” në vjetin 2004.

Në vjetin 2005 në bashkëpunim me Provincialin Atë Ndue Toplana, filloi botimin e veprave të shkrimtarëve françeskanë. Në vjetin 2006 rifilloi botimin e revistës “Hylli i Dritës”, e cila ende vijon të botohet.

Për këto vepra, Presidenti i Shqipnisë, Alfred Moisiu, me 29 qershor 2006 e dekoroi Atë Zef Pllumin me Urdhnin “Nderi i Kombit”. Presidenti Moisiu e vlerësoi Atë Zef Pllumin “si përfaqësues të pasurive kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohrave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.

Nga ana e tij, Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë ma censurë e dallime krahinore, fetare o idesh, të cilat e copëtojnë kulturën tonë dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve.

Në vitin 2006, Ministria e Kulturës e Shqipnisë, Atë Zef Pllumit i jep çmimin letrar “Penda e Artë” për vlerat e veprës monumentale “Rrno vetëm për me tregue”. Me këtë rast, ndër të tjera Atë Zef Pllumi pohoi: Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj asht vlera që ka demokracia. Kjo asht vlefta ma e madhe që i bahet librit tem.

Atë Zef Pllumi vitet e fundit i kaloi në kuvendin Françeskan te Arra e Madhe, si dhe në Kuvendin e G’juhadolit – Shkodër. Ndërroi jetë më 25 shtator 2007. U varros në kapelën e vorreve të fretënve pranë Kishës “Zoja Rruzare” Arra e Madhe – Shkodër.