MENU
klinika

Rregullore e re për transfertat

Banka e Shqipërisë cakton kufijtë për tarifat

04.06.2020 - 10:36

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi dje rregulloren “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël, AECH” dhe “Për funksionimin e sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe, AIPS”.

Këto rregullore janë një version i përmirësuar i rregulloreve ekzistuese për funksionimin e sistemit të shlyerjes së pagesave ndërbankare me vlerë të madhe dhe sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël, si rezultat i çështjeve të hasura në eksperiencën e Bankës së Shqipërisë gjatë operimit të këtyre sistemeve, plotësimeve më të fundit në kuadrin ligjor dhe rregullator të lidhur me aktivitete në fushën e pagesave, përputhshmërisë me parimet mbikëqyrëse, strategjisë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël, si dhe nevojave për përshtatje e zhvillime të reja të pritura në tregun e pagesave.

Njëkohësisht, rregulloret miratojnë dhe heqjen e tarifave për bankat për urdhërtransfertat e klientëve në lekë të iniciuara në rrugë elektronike e që transmetohen në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH, me vlerë deri në 20000 lekë.

Për këto lloj urdhërpagesash nuk duhet të aplikohen komisione bankare, dhe për vlera mbi 20000 lekë, komisionet bankare nuk duhet të jenë më të mëdha se 50% e komisioneve të aplikuara për pagesat e iniciuara në formë jo elektronike.

Ky ndryshim vjen si rezultat i një sërë analizash dhe studimesh, aktesh ligjore e strategjisë së hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe të diskutuara e miratuara së bashku me sistemin bankar, nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Ai synon mbështetjen e klientëve të bankave dhe minimizimin e kostove për ta, në linjë me objektivat e Bankës së Shqipërisë për reduktimin e parasë fizike në ekonomi.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe Raportin e Mbikëqyrjes 2019, i cili trajton funksionet e mbikëqyrjes bankare, aktivitetet dhe veprimtaritë kryesore të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë, si dhe detajon zhvillimet në kuadrin ligjor dhe rregullativ gjatë vitit 2019. Raporti analizon ecurinë e sistemit bankar dhe të treguesve të veçantë të tij, zhvillimet sasiore e cilësore të këtij sistemi në vend./Fjala.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive

"Ngrin" pagesa e kredive, për 3 muaj

Bankat nuk do kërkojnë shlyerjen e kësteve