MENU
klinika

Aksionet e IKMT-së

Debat me Lleshaj/ Ndreu: Ia kam thënë Ramës, s’jemi policë rreshti

10.06.2020 - 12:04

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu është kundër aksionit të IKMT-së për shembjen e ndërtimeve pa leje në nisje të sezonit turistik dhe pa një plan më parë mes pushtetit lokal dhe atij qendror.

Debati i plotë
Pjerin Ndreu: Nuk desha me folur, por meqë qënka shqetësimi i gjithë kolegëve, bashkohem me shqetësimin e zonjës Voltanë. IKMT nuk mund të veprojë si çetë atje, pa dijeninë e kryetarit të bashkisë. Unë e vlerësoj rolin e IKMT, edhe zellin e ministrit për të shembur ndërtimet pa leje.

Por mos harrojmë që jemi në datën 10 qershor. Jemi në pragun e sezonit turistik dhe barra e përgatitjes bie mbi bashkitë, mbi ne, puna jonë do të vendosë ekuilibrat, nëse do të bëjmë një sezon dinjitoz apo do të bëjmë një sezon, këto janë modalitete që i keni bërë ju shumë mirë me e-albania, edhe pse nuk është hata e madhe, edhe pse mund të ishte më pak burokratike.

Por të vijë IKMT të bëjë një rrëmujë, pa ditur gjë fare bashkia dhe të lajmërohen inspektorë periferikë, dhe kryetarit të mos i merret mendimi. IKMT të vijë me diskutim paraprak, ku ne të biem dakord, ti shërbejmë turizmit, jo ta bëjmë rrëmujë turizmin, shemb ca objekte, i lë rrëmujë dhe i lë aty, unë nuk kam kapacitet për t’i hequr dhe ti i bën rrëmujë.

I kam thënë kryeministrit mbrëmë, ne nuk jemi policë të rreshtit, kryetari i bashkisë, boll është sfumuar, ka ardhur koha që ligji për vetëqeverisjen vendore të shikohet me kujdes. Boll është bërë izolimi i kompetencave të pushtetit lokal, që ne të injorohemi në mënyrë kaq të cuditshme.

Prandaj të ulemi dhe të diskutojmë me pushtetin lokal. Këto objekte kanë 30 vite pa leje dhe tani në kohën e sezonit mobilizohemi, unë e kuptoj edhe efektin e SMS-ve lobingjeve, por kjo nuk do të thotë të vendosim SMS-të para institucioneve serioze. Bashkia është institucion serioz, nëse për ju nuk ekziston, ka një kryetar bashkie, që ekziston.

Sandër Lleshaj: Do i kurseja ato gjëra që mund të kisha thënë këtu. IKMT është një strukturë e respektuar ligjore e cila ka mbajtur një barrë të madhe në rivendosjen e shtetit dhe ligjshmërisë. Në këtë detyrë, IKMT e ka kryer me shumë përgjegjësi dhe sukses dhe është përballuar me një pjesë të madhe të paligjshmërisë dhe vetë krimit në vend.

Këtë detyrë do të vijojë ta kryejë. Protokollet janë të zbatuara në ligj dhe janë respektuar rigorozisht. Në marrëdhëniet me shkelësit e ligjit janë të drejtpërdrejta dhe nuk kalojnë nga kryetari i bashkisë, nuk negociohet me kryetarin e bashkisë për të rivendosur ligjin në një vend që është shkelur.

Nga kryetarët e bashkisë pritet që të jenë proaktivë në vendosjen e ligjit dhe ju garantoj që IKMT dhe policia veprojnë drejtpërdrejt dhe nuk marrin autorizim vetëm nga ligji. Nëse konstantojmë se dalin nga ligji, ju thashë, që jeni të ftuar, të detyruar që të reagoni nëse konstatoni shkelje të ligjit. J

u ftoj ta kuptoni këtë ndërhyrje në funksion të cilësisë së turizmit në segmentet e plazheve që keni në përdorim. Ndërhyrja nuk është qëllim në vetëvete por për të mundësuar kushte normale në bregetin shqiptar, që tu largohemi standardeve afrikane dhe t’u afrohemi atyre europiane, ku nuk ka cuba, por ligj dhe standarde moderne.

Blendi Klosi: Faleminderit kolegë

Pjerin Ndreu: Më fal mund të jap një përgjigje

Blendi Klosi: Jo Jo

Pjerin Ndreu: Po avash se ka një shqetësim ky

Blendi Klosi: Dakord dakord

Pjerin Ndreu: A na keni thirrur për të diskutuar do të diskutojmë tani

Blendi Klosi: Do të vazhdojë mbledhja, edhe 5 orë edhe 6 orë

Pjerin Ndreu: 5 orë nuk kam kohë unë me ndjeur

Blendi Klosi: Duke falenderuar median e vazhdojmë këtë takim, pa i hequr të drejtën e fjalës asnjërit