MENU
klinika

Çfarë thotë Rama për rritjen e çmimit të biletave?

Koronavirusi, shoqatat e transportit kërkojnë mbështetje financiare

09.06.2020 - 08:02

Shoqatat e transportit paralajmërojnë të mos nisin nga puna më 15 qershor nëse qeveria nuk u plotëson atyre kërkesa për ringritjen ekonomike pas goditjes nga pandemia. Dy ditë më parë qeveria dha vendimin përfundimtar për hapjen e transportit publik me 15 qershor, shoqëruar me protokollin përkatës që duhet të zbatojë ky sektor. Por ky vendime nuk i ka qetësuar aspak punonjësit, të cilët që prej fillimit të marsit nuk kanë punuar dhe shumë herë kanë paralajmëruar protesta.

Ndërkohë ditën e djeshme të gjithë përfaqësuesit e transportit urban dhe interurban kanë dalë në protestë ku kanë ngritur zëri për 6 kërkesat e tyre në të kundërt paralajmërojnë pezullim të aktivitetit dhe pas 15 qershorit. Ndërsa tregojnë se nuk është aplikuar asnjë paketë financiare për mbështetjen e transportit, ata i kërkuan qeverisë reduktim të TVSH, ulje të çmimit të naftës dhe eliminimin e transportit informal.
“Transporti është lënë anash dhe ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që të hapej transporti dhe të kishim një paketë fiskale për të kapërcyer krizën në të cilën ndodhemi.

Askush nuk ka bërë asgjë. Pritëm një paketë ndihme, por ajo që u komunikua është një paketë hapje, a masa lehtësuese. Kërkojmë heqjen e akcizës së naftës që të kthehemi në normalitet. Kërkojmë ulje të TVSH-së në shitje nga 20% në 6% siç e ka turizmi, kërkojmë njohjen e shpenzimit të zbritshëm të naftës nga 43% në 100%, nëse duam të rikthehemi në jetë. Do ngelemi pa transport publik. Të ketë luftë ndaj informalitetit, po na bëjmë konkurrencë të pandershme”, u shpreh përfaqësuesi Enea Sulejmani.

Nga ana tjetër Kreu i Shoqatës së Transportit Qytetas, Rixhin Qoshja tha se ata janë të paqartë mbi protokollon e masave, si dhe kërkojnë subvencionim për të përballuar kostot shtesë që krijon protokolli.

“Më kryesorja të subvencionohemi me 30% pasi është kufizuar numri i personave që transportojmë në 70%. Sepse të mbash në një autobus të kryeqytetit 70 persona dhe njëkohësisht të respektosh edhe distancën ne na duket e pamundur. Të respektosh distancën në autobus do të thotë që është e pamundur që të kesh edhe fatorino”, tha ai.

Vendimi i qeverisë për kërkesat e paraqitura

Ndër të tjera përgjegjësi i transportin për zonën e veriut, Dashnor Mema i bëri thirrje qeverisë që të dalë me një vendime zyrtar më të qartë në lidhje me mënyrën se si do të procedohet dhe konfirmimi për plotësimin e kërkesave të tyre.

“Përveç planit që ka nxjerrë ministria që do të udhëtojnë me 70% të kapacitetit dhe se pasagjerët duhet të jenë të pajisur me maska, akoma nuk ka asnjë informacion tjetër se si do të veprojnë, akoma asnjë vendim zyrtar. Që nga fillimi i bllokimit të transportit ne kemi kërkuar plotësimin e disa kërkesave për të cilat akoma nuk është dhënë asnjë vendim”, u shpreh ai. Sakaq thirrjes së tyre i është përgjigjur vetë kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai njoftoi se, 15 qershori është dita kur do të fillojë transporti me mbulimin e shpenzimeve të naftës si dhe zerim të taksave për një vit. Sa i përket kërkesë për transportin informal ai tha se brenda vitit do të ndërtohet reforma e posaçme për këtë problem.

“Të hënën 15 qershor rinis shërbimi i transportit urban dhe ndërurban, sipas protokollit të miratuar të sigurisë shëndetësore. Qeveria do ta mbështesë këtë sektor përmes: njohjes si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës; zero taksa dhe zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020. Brenda 2020 do të kryhet reforma e plotë ligjore/fiskale e sektorit dhe në 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike si hap i parë”, deklaroi Rama.

Ndërsa paralajmërimit për rritje të çmimeve të biletave Rama i është drejtuar me një urdhër ultimatum ku tha se ndalohet kategorikisht rritja e çmimit të biletës për qytetarët.