MENU
klinika

Gjuha e artit është në fakt çfarë?

“Kryq dhe Gozhdë–JAM UNË, CINIKU!”

20.06.2020 - 15:12

Gjuha e artit është në fakt çfarë? Është pasqyrimi i realitetit, sipas mendimit kritik. Një lloj fuqie që, zakonisht prej përvojës së jetës, vjen përgjithësisht nga e shëmtuara ose e përkryera. Andaj, në formë estetike, ne jemi përpjekur dekadash, duke u fshehur pas kësaj gjuhe, të përcjellim unitetin e formës dhe përmbajtjes në një mënyë që në fakt ende nuk kemi mundur ta përfundojmë.

Por sa e lodhshme është kjo? A është ky shpëtimi i vetëm? Si dukemi në sy të të tjerëve? A pranojmë gjykimin e të dukurit çoroditës?

Arti; ky koncept filozofik, i pamundur për t’u përvetësuar, na detyron pakte. Pse? E dimë të gjithë që është i vetmi akt komunikativ për procesin e njohjes së vetes, mandej realitetit.

Doemos për t’ia dalë kësaj kërkohet një aftësi perceptuese për të tejkaluar “lexuesin” në “spektator” dhe spektatorin në një “Krisht modern”, i cili përsoset dhe sakrifikohet për rëndësinë e madhe karshi “identitetit” të “veprës”. Të kohës! Mjafton të shohim rrotull: çdokush që na rrethon, njohim a nuk njohim, na ofron luksin e një procesi të tërë.

A kemi kohë? Vullnet? Dëshirë?

Gjithçka nis prej pikëpamjes që krijojmë, që kuptojmë, që lexojmë mirë a keq, që arrijmë në konkludime të qarta të paqarta. Pse? Sepse interpretimi i saktë i veprës (që në rastin konkret duhet të fitojë kënaqësi, duke kapërcyer nga arti: në kuptimin që marrim dhe na japin marrëdhëniet e ditës) pra; edhe në qoftë karakter mospërputhja, ne mund të fitojmë një kuptim. Si rrjedhojë, kuptimi nxjerr nënkuptime, sikurse gozhda-gozhdën (thotë nga Jugu). Pra, kuptimi që nxjerr njëri lexues nuk përkon kurrë me lexuesin tjetër. Edhe? Ç’pyetje lind… ah!

– Sa përkon kuptimi objektiv i realitetit me kuptimin që i vesh spektatori? Gjithçka është një vepër e madhe, a jo? Një lloj eseje, prej ku ka dhe estetë të cilët e mohojnë realitetin e veprës dhe predikojnë se “kuptimi saj i vetëm varet tërësisht nga lexuesi”. Madje njëri syresh ka thënë se: “Secili që është i aftë të lexojë poetikisht veprën artistike, krijon një poeme te re.” A nuk nxjerrim kështu përfundimin se është vetëm një PRETEKST e gjitha, një ngacmues që vë në lëvizje imagjinatën e lexuesit? Në shprehjet dhe mendimet e shquara të përmendura kohësh, pjesërisht dhe plotësisht shumë syresh bien në kundërshti. Si është e mundur që mençuria njerëzore të japë edhe vlerësime që bien ndesh? S’ka asgjë për t’u çuditur, thotë Petro Prifti në librin studimor “Mendime për mendimet”, sepse mendimi duhet analizuar në përputhje me kushtet, kohën. Mund të jetë i vërtetë për disa shtete dhe jo i vërtetë për një interval tjetër kohor, etj.

A shërben kjo në vendin tonë? Nëse lexojmë esetë dhe studimet e Kadaresë tek “KADARE, LEXIMI dhe INTERPRETIMI”, mund të shquajmë të vërtetat e këtij sfondi. Identiteti i letërsisë së tij, në relacion me kulturën e këtij vendi kërkoi shpëtim në themelet e civilizimit perëndimor, duke shkuar me tej. Më thellë, mes shkurresh e detesh për të gjetur një kuptim-justifikim, me patjetër. Në gjetjet arkeologjike ai bazoi dhe shprehu sfidën e tij, nëpërmjet paraqitjes së zymtësisë në jetën e përditshme dhe evokimit të një Shqipërie të lashtë, më të qëndrueshme se ajo e Enver Hoxhës. Pra, a nuk po trajtojmë të njëjtin problem? Studiuesi Jean-Paul Champseix pohon se:

“Kadareja u mundua të shpëtonte identitetin kombëtar shqiptar”.

Por a ia doli? Beteja e tij me diktaturën Shqipërinë e shpërfaq me shëmti të panumërta, një karikaturë ideologjike, teksa, në anën tjetër: lartësohet shqiptari ideal i lashtësisë.

Ibrahim Rugova është shprehur: Kadare është një nga autoritetet më të mëdha, pasi pa komplekse inferioriteti ai përgjigjet për çështje të mëdha të kohës. Duke vrojtuar thellë! Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i metropoleve: SEPSE EKZISTON NË METROPOLE”.

Por kjo aspiratë për liri e qytetërim, për lexuesin e keq quhet Cinizëm. Sepse jemi ende në diktaturë. E cila sot shet moral, lumturi, monotoni, duke mbjellë njëjtë si atëherë farën për të formuar njeriun e ri, pa vese, të moralshëm dhe të përndritur. Ku?

Në llogore të tregut që ne blejmë.

A është e mirë kjo? Po.

Sepse, veç ballë kësaj katrahure mund të gjejmë prapë një shkak. Një motiv tjetër për të hapur të tjera horizonte për “lexuesin”.

Një rrëfim të pafund, që nuk përfundohet dot as në historinë e artit.

E dimë, për epoka me radhë, kryemjeshtrit na bëjnë që të jemi të sigurt të paktën në një gjë, duke qenë se ndiqnin parimin për përsosmëri se “Veprat e papërfunduara janë të përkryera”.

Kështu ne na intrigon dhe jemi ende dhe sot në kërkim të një kryevepre, me apo pa dashje, duke u kthyer pas. Tek stili non-finito.

Pra, na pëlqen zhgjymtimi. Si ai i veprave klasike, të cilën e bën të pavdekshëm pikërisht ky “gjurmim arkeologjik” që bëjmë dhe sot. Çdo ditë të javës. Në të mirë të absolutizmit ende, si në shekullin XV, ku kryeveprat e përsosura nuk u përfunduan kurrë!

Kështu për shembull “Afërditës së Milosit” i mungojnë duart. “Fitores së Samothrakës” i mungon koka dhe gjymtyrët. Pra, pse? Sepse kënaqësinë tonë, mësa duket, e plotëson vetëm imagjinata. Por lind pyetja, a kemi të drejtë ta mitizojmë sot e ta kthejmë në modë? A kemi arsye të ndihemi pak Mikelanxhelo, pak Roden, pak Vitruv? A Kadare?

A e bëjmë pak rolin e kryemjeshtrit në Tiranë? Sa jemi? Sepse jo të gjithë munden. Sikundër, për analogji, jo të gjithë janë Schubert me “Simfonia e pambaruar”, në fakt, një vepër e plotë, e përfunduar dhe e përkryer me një formë të re trikohëshe (ndryshe nga tradita katërkohëshe e simfonive) për shkak të së cilës quhet ende konvecionalisht e pambaruara.

Kështu, në arrijmë në një tjetër pasqyrim. Ku spektatori sodit një tjetër tablo, atë të cilën Konica.al i mëshon qartë. Atë të “Gjuhës”.

Gjuha e mendimit. Ku mund ta gjejmë? Tek njerëzit?

A duhen kaq shumë njerëz për të formuar një njeri?

Aristoteli thotë se zgjidhja është “e mesmja e artë”: nuk duhet të jesh strikt. Liberal!

Për të qenë liberal, duhet të jesh cinik.

Tregojnë se një herë Sokrati po qëndronte para një dyqani ku shiteshin shume gjëra të ndryshme. Më në fund, tha:

“SA SHUMË GJËRA QË NUK MË DUHEN PASKA KËTU!”

Ndërsa Diogjeni (më i njohuri i Cinikëve) i shkon për vizitë Alexandri i Madh. E pyet: A ke ndonjë dëshirë, dhe unë do ta plotësoj.

Diogjeni (që kishte vetëm një trastë e shkopin) i thotë: “Mos ma ndalo atë që nuk ma jep dot”
Ai kishte gjithçka që dëshironte! Pse?
Se e dinte që njerëzimit nuk i dhimbset njerëzimi.
Ndaj, kujdes, në fund le të riprezantohemi: Jam unë, Ciniku. Jam ende Krisht.
Mbinjeriu modern.
Si ta mbyllim këtë skicë?

Poezia nga Arjan Leka është përshëndetja e një mbrëmjeje të bukur:

“Nuk shkruaj
Kam frikë të them Krisht,
Fjala peshkon gozhdë, Marinë një Judë dhe një kryq.
Kam frikë të them gjarpër, të them dhelpër, romak
Se helmi, dredhia, pranvera se toka të më gjunjëzohet ndër këmbë.
Mund të them Don Kishot, nëse ti mullinjtë s’i mendon? Poezia është Rima,
Është rreshti i bardhë.
Kam frikë të them shkrim, të them varg, pa u dridhur nga bryma, që bie murin e palatuar të fjalës.

NJË GUR
PAK LAÇ
PRAPË KRISHT
PSE LLAZAR?
Edhe Kryq, edhe Gozhdë
Bukëverë
Dhe TRINI
E TË TJERË…