MENU
klinika

“Rrno vetëm për me tregue”

Kujt i duhet hapja e dosjeve për sa kohë kemi Atë Zef Pllumin?

30.06.2020 - 06:41

Atë Zef Pllumi, prifti shkodran i cili vuajti gjatë gjithë komunizmit, duke ndjekur këshillën e superiorit të tij, Atë Marin Sirdanit, e ktheu jetën në një pergamenë të stërgjatë mbi të cilën shkroi ato çfarë kishte jetuar, me synimin e qartë që ata ndodhi të kujtoheshin.

Për librin e jetës së tij, “Rrno vetëm për me tregue” Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt, për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.

Këto fjalë janë shkëputur nga parathënja e botimit të parë të veprës, shkruar nga shkrimtari i madh, i akuzuar si komunist dhe antifishtjan (mjaft të lexojmë deklaratën e tij në gazetën “Zëri i Rinisë” të vitit 1972 ku thotë Gjergj Fishta ishte reaksionar…) Ismail Kadare, miqësia e të cilit me Atë Zef Pllumin ishte e njohur.

Sot, kur debati për çeljen ose jo të dosjeve, për krijimin e një ligji që ndalon ish komunistët të jenë pjesë e organeve ligjvënëse e ligjzbatuese vazhdon të jetë i zjarrtë, duhet të marrim e të lexojmë, më shumë se asnjëherë më parë “Rrno vetëm për me tregue” të Padër Zefit. Aq më tepër, duhet të kujtojmë se më 16 shtator do të promovohet e plotë vepra e tij letrare.

Duke qenë se dosjet nuk po hapen pavarësisht këmbënguljes që kjo të ndodhë, po paraqesim “dosjen e hapur” të Padër Zefit ku, nëpërmjet një fragmenti të shkurtër nga libri i tij, tregohen torturuesit, oficerët dhe hetuesit më në zë të kohës. Vlen të lexohet për të parë nëse ato vazhdojnë të jenë edhe sot në pushtet…

Atë Zef Pllumi në gjyq (fotoja ishte e ekspozuar në Muzeun Ateist të Shkodrës, i vetmi i llojit të tij në botë)
Me dt. 14 Nandor, Kuvendi Françeskan i G’juhadolit u gjet i rrethuem që në orët e para. Para orës 8 erdh oficer Dul Rrjodhi me nji skuadër ushtarakësh. Na urdhëruen me u mbledh të gjithëve në mensë. Ata vetë fillunen me kontrollue Kuvendin…

…Kryeroje mbi ne ishte nji farë Smajl Sheme: Falna o Zot, por ai ishte gjysa kafshë e gjysa njeri. Nuk e pvetem kurr se nga ishte, por shpeshherë ai këndonte: “Kurvelesh o zemra ime”. Ai kur donte me sha ndonjanin prej nesh i thonte: “Krisht! He Krisht!”. Nji ditë e pveta: A e din ti çka asht Krishti? Ai u përgjegj “nji fashist i qelbun si ju”.

Mbas nja 3-4 ditësh, aty në mensën ku ishim të mbledhun, na vijshin për vizitë oficera të sigurimit si Nesti Kopali, Zoj Shkurti, Fadil Kapisyzi, e shumë të tjerë që tash ua kam harrue emnat, si edhe shumë të tjerë që nuk i njifshim. Na kritikojshin, bile na shajshin si borgjez shovinista e fashista, sikur vetëm na ta kishim fajin që ish ba Shqipnia!

Duli i kishte marrë në dorëzim të gjitha çilsat e Kuvendit. Prej Odes – Muezum të Fishtës ai merrte, si pa gja të keq stilografat, lapsat e të tjera kinkalerina e i mbante në xhepin e gjoksit me kreni.