Nga Sadedin Mezuraj
Polifonia labe, me harmoninë e zërave dhe vibracionet e isos, kur e dëgjon, të rrëmben në shtjellën e saj magjike dhe të çon në një univers tjetër. Zërat të mbushin qenien dhe shpirti shkëputet përkohësisht nga Toka e ngrihet lart, drejt Qiellit, drejt hapësirave të parrokshme eternale.
Por kënga labe, kjo magji e shumëzërëshit, rrjedh mbi shtratin e tekstit, ku fjalët e filtruara në sitën e mjeshtrit popullor kanë peshën e gurëve të latuar, të stolisur me figuracion të kursyer dhe rrëzëllitës.
Poezia popullore dhe veçanërisht kënga labe, qysh në zanafillën e saj në mjergullën e kohërave, ka qenë jo vetëm kronikë e jetës shqiptare, me bëmat dhe gjëmat e saj, por edhe pasqyrë e një bote të brendshme plot vrulle dhe vlime, shprehësi e mallit dhe hallit, e dëshirës dhe dertit, e dëshirimit dhe dashurisë, shpesh të pamundur dhe të penguar.
Poetika e këngëve labe për dashurinë, me lakonizmin e gjuhës dhe figuracionin e spikatur artistik, reflekton qasjen estetike të krijuesit anonim për të bukurën dhe, herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi, mbart shenjat e mentalitetit të kohës, normat sociale dhe etike që vetërregullonin jetën e shoqërisë tradicionale.
Në këngën e Neço Mukës “Moj Katina nina-nina” sindagma “Pa dil në penxher” – shpërfaqet gati si klishe në shumë krijime popullore të veriut dhe jugut, në polifoninë labe dhe këngën qytetare.
Vargu “Pa dil në penxher” shpreh një entitet të mbyllur, ku ka vetëm një dritarare (penxheri), si hapësirë ndarëse dhe bashkuese e të brendshmes, hapësirave të banesës, me botën e jashtme, peisazhin, rrugët e fshatit apo qytetit, ku gjallon jeta.
Dritarja, prej nga hyn drita në brendësi të banesës, me grilat dhe perdet, është një hapësirë e mbyllur për syrin e jashtëm (Adrian Vehbiu-Peisazhe të Fjalës). Pas qelqnajës së saj, ajo mundëson syrin e brendshëm të sodisë, të bëjë sehir, të vëzhgojë botën e jashtme, pa u vënë re. Por ai kuadrat -kufi mes të brendshmes dhe të jashtmes, mund të hapet, dhe në kornizën e dritares të shfaqet vajza, duke ujitur lulet në saksi apo thjesht duke bërë sehir. Ose edhe për t’i bërë një isharet djalit që digjet për të, i cili qëndron diku në sokak, dhe pret…pret…pret:
Pa dil në penxher
Thirrja “Pa dil në penxher”- “dil moj dil/ buza trëndafil”- “dil moj dil të daltë rrënja”- në të gjitha variacionet e saj në këngë të ndryshme labe dhe jo vetëm, duket si një frazë me tone urdhërore dëshirore. Por brenda saj vibron edhe lutja, shpresa dhe përgjërimi i djalit të rënë në sevda:
Të të shoh njëherë
Eshtë një kërkesë kaq modeste, kaq e mundur të ndodhë dalja e vashës në penxher dhe njëkohësisht e vështirë deri në kufijtë e pamundësisë. Një penxhere që pritet të hapet, një vajzë që pritet të dalë nga brendësia e banesës në atë kuadrat dhe një djalë që pret, jashtë, në botën që duke sikur dremit, por që përgjon. Prandaj, në një këngë tjetër labe, rapsodi anonim, duke iu drejtuar vashës, thotë:
Mos ma bën me dorë,
Po folëm me gojë,
Na shikojnë bota,
Kushedi seç thonë,
Në katër vargjet e mësipërme është bota, njerëzit e tjerë, me paragjykimet e tyre dhe përballë dy të dashuruar, gati të pambrojtur, të cilët mund të bëhen pre jo vetëm e fjalëve, por edhe e armëve.
Në librin “Autobiografia e popullit në vargje”, Kadare thotë se në shoqërinë tradicionale shqiptare “Dashuria ishte në përgjithësi një dramë”. Plot rreziqe. Dhe plot pengesa dhe shtërngesa. Një ndjenjë gati e ndaluar. “Në jetën e tij populli-vazhdon Kadare-në shumicën e rasteve nuk e ka pranuar dashurinë, kurse në artin e tij nuk e ka dënuar kurrë”.
Dhe kënga vazhdon:
Të të shoh njëherë,
Moj Katina nina-nina,
Zëmërën ma merr.
Djali sevdallisur nuk i thotë “eja të dalim poshtë nga çairet” apo “ në mes të pyllit të vemi/atje ku bota neve nuk na sheh”. Jo, ai thjesht kërkon ta shikojë një herë. Vetëm një herë! Ndoshta të nesërmen ai do të niset në kurbet dhe kërkon të marrë me vete shëmbëlltyrën e vajzës që i ka rrëmbyer zëmrën:
Zëmërën ma merr
Apo ndoshta ai, simbolikisht, do t’i lërë peng zëmrën e tij: Ma merr zemrën, është e jotja!
Fol një herë me gojë,
Thuaj të shpresoj,
Lutja e djalit të pushtuar nga drithërima e dashurisë, shkon më tej. Ai nuk dëshiron vetëm “ta shikojë njëherë”, por edhe të marrë besën prej saj. Fjala e dhënë. Dhe vetëm paskëtaj, të mundet të shpresojë e të presë që dashuria të bëhet realitet.
Djali e ka shpallur tashmë dashurinë. Vajza në dëshirën dhe imagjinatën e tij është “Vajz’-e dashur”, e synuara e ndjenjës së tij dhe më tej, ai pohon pamatshmërinë e ndjenjës që e ka kapluar:
Sa të dashuroj!
Por vasha ende nuk i ka premtuar asgjë. Dhe fill pas lypjes së fjalës nga vasha, si ushqim për shpresën, vjen kumti i rëndë:
Pa ty s’mund të rroj!
Një deklaratë fundore, ku shpallet dashuria, por dhe vdekja. Eros dhe Thanatos. Dashuria merr trajtën e kuptimit të jetës. Pamundësia për të përjetuar dashurinë është një jetë e vdekur, qoftë dhe simbolikisht. Dilema hamletiane “Të rroç apo të mos rroç” në botën tradicionale shqiptare, merr trajtën e dramës: Të jetosh me gazin e dashurisë apo të vdesësh kur ajo bëhet e pamundur? Duket si ultimatum drejtuar vajzës, por, në fakt, thellë-thellë, ajo deklaratë shpreh adhurimin e thellë të djalit për vashën. Dhe si nëntekst, mbart edhe dëshpërimin e dashurisë pa përgjigje.
Është një dashuri që trondit qenien njerëzore. Sepse edhe bukuria e vajzës është përthithëse:
Vajz’ e bukur-o,
Pa dil të të shoh,
Siri it më tret,
Zëri it më vret,
Bukuri je vet.
Duket sikur jemi përballë një paradoksi: Djali i lutet vajzës të dalë në penxher/dritare dhe kësisoj “ta shikojë njëherë” e ndërkohë, pohon:
Siri it më tret,
Zëri yt më vret.
Katina, kjo vajzë e brigjeve joniane, përcillet mes vargjeve si personifikimi i vetë Bukurisë. Forma ideale e Bukurisë (Platoni) ka rënë nga qiejt eternalë dhe është plazmuar në shëmbëlltyrën tokësore të Katinës –“Vajz’ e bukur-o”.
Vargu “Siri it më tret” shpreh simbolikisht bukurinë e pashoqe të Katinës dhe mbart jehona të miteve të largëta për Meduzën, imazhi gruas së bukur, me sy hyjnorë, e cila e kthen në gur këdo që bie në vështrimin e saj magjepsës.
Vargu “Zëri yt më vret” figurativisht na çon në mitologjinë e sirenave, vajzat e bukura të detit, të cilat me këngët dhe zërin e tyre magjepsin udhëtarët. Ata që tundohen prej zërit të tyre, robërohen dhe mbeten të bllokuara nën pushtetin e këtyre nimfave të bukura.
Neço Muka ishte bir i Bregut, i një trualli të lashtë, me rrënjë në besimet dhe mitet e vjetra pellazgo-ilire për floçkat, zanat, orët etj. Një trualli i begatë kulturor, i cili fqinjëron me vatrën e miteve antike greke. Kjo begati me besime dhe mite mbartet si një gjuhë e figurshme në tekstin e tij poetik, për të shënjuar bukurinë magjike të Katinës dhe trazimin e tij të brendshëm shpirtëror prej dashurisë.
Kjo pra është Katina e këngës së Neço Mukës, shëmbëlltyrë e Bukurisë, me sy magjepsës që të shajtojnë dhe me zërin e ëmbël që të plagos shpirtin.
Pas kësaj, deklarata e djalit “ Pa ty s’mund të rroj” merr më tepër kuptim. Një bukuri tronditëse, një dashuri robëruese, deri në vdekje. Erosi është fytyra e ndritshme e kësaj jete kurse pamundësia për realizimin e dashurisë njëjtësohet me vdekjen simbolike.
Kënga vazhdon dhe fjalët e tekstit na hedhin në një plan më të gjerë:
Pranvera afron,
Bilbili këndon.
Është prag pranvere. Stina e madhe e ringjalljes. Natyra por ripërtërihet. Dëborat po shkrijnë e gjethi po çel. E gjithë natyra po mbushet me pjalm, lule dhe këngë bilbilash. Erosi i madh rigjallëron natyrën dhe vetë ndjenjat njerëzore. Bilbi dhe pranvera, ashtu si në krejt poezinë popullore, edhe në tekstin e kësaj kënge, marrin vlerën e simboleve të sinjalizimit të dashurisë.
Por Katina-vajza e dashur- ende nuk e ndien këtë zgjim të madh të natyrës. Djali e grish, e fton të dalë nga mejtimet, nga dilemat:
Hajde pse mejton,
Befas ndodhemi përpara vargut:
Hajt se nata shkon.
Në fillim të këngës, djali e thërret vashën e dashur të dalë në dritare, vetëm për ta parë njëherë. Dhe duket se ende është ditë, muzgu ende s’ka rënë dhe ai shpreson të shikojë siluetën e saj në dritare. Por duket se nata ka rënë dhe tashmë vargu “hajt se nata shkon”, projekton dëshirën e djalit për ta kaluar bashkë natën. Dhe kuptohet, se në krahët e njëri-tjetrit orët rrokullisen shpejt. Nata shkon. Në jetën tradicionale shqiptare, ku dashuria nuk miratohej dhe takimi midis dy të dashuruarve ditën ishte i vështirë, nata ishte streha e sekretit të dashurisë.
Por vargu me ambiguitetin dhe lakonizmin e tij, duke se sugjeron edhe një qasje tjetër. Djali duket se të gjitha mesazhet i përcjell përmes këngës, me shpresë se zëri tij do të dëgjohet nga vajza përtej penxherit të mbyllur. Një Orfe brigjeve të Jonit që përmes këngës, thërret Euridiken e tij të mbyllur pas kanatave të penxherit. Dhe penxheret e mbyllura asociojnë me burgun, errësirën e brendshme të tij.
Nata ka shkuar. Kanë shkuar qindra ditë e netë të tjera. Vargjet në vijim reflektojnë shpresën e humbur dhe na zhvendosin ndoshta vite më pas, kur kënga, ajo këngë djalërie, e mbushur me dëshira e vlime ndjenjash për “vajzën e dashur”, duket se po shterron:
Kënga perëndon,
Djalëria shkon.
Kënga i buron nga shpirti një djali të dashuruar dhe vetë dashuria është lulja e taksur të çelë vetëm në vitet e djalërisë. Dashuria mbetet pa përgjigje. Vitet rrokullisen. Shpresa tretet. Kënga shkon drejt fundit, në tekst dhe simbolikisht.
Nën shtresën e fjalëve, fshihet pikëllimi për perëndimin e viteve të rinisë:
Kënga perëndon,
Djalëria shkon.
Dhe duke mbërritur në fundin e tekstit, e ridëgjoj përsëri këngën Moj Katina nina-nina. Është një këngë dashurie. Por ajo ehee e kthyesit, del si një ëhëë, si heqje në zemër. Drithërima e isos përcjell jo ngazëllimin, por dhimbjen e një zemre për dashurinë e penguar. Prandaj polifonia labe, në të gjitha stilet e kënduara, edhe kur i këndon një ndjenje kaq të bukur dhe shpresëdhënëse si dashuria, mbart një lloj dhimbje, një dhimbje e ardhur nga strukturat më të thella të psikes dhe kulturës së një shoqërie të mbyllur tradicionale.
Dashuria e rinisë, pengu i zemrës djaloshare, transformohet në dhimbje burrërore dhe si e tillë, ajo kthehet në venerim për vajzën e dashur, përmes artit magjepsës të këngës isopolifonike. Kjo këngë e bërë nga pena dhe shpirti i Neco Muko Himariotit, flatron nëpër kohëra e, bashkë me të, edhe emri i pamort i Katinës:
Moj Katina nina-nina,
Vajz’e dashur-o.