08.06.2020 - 18:24
INGREDIENTËT
- Për tavën e perimeve:
- 3 patëllxhanë mesatarë
- 3 patate mesatare
- 1 kungulleshkë
- 100 ml vaj ulliri
- Për kimën:
- 1 degë selino e prerë në kuba
- 1 qepë e prerë në kuba
- 1 karrotë e prerë në kuba
- 2 domate për gjellë
- 250 gr mish të grirë
- 1 gotë ujë
- Piper të zi
- Kripë
- Për beshamelin:
- 2 lugë gjelle gjalpë
- 1 lugë gjelle miell
- 250 ml qumësht
- Pak kripë
- Pak arrë moskat
- 150 gr djathë çedar ose guoda i grirë
UDHËZIMET
Marrim perimet dhe i presim mundësisht në të njëjtën trashësi.
Patëllxhanët i spërkasim me pak kripë dhe i lëmë të rrinë rreth 10 minuta
Me ndihmën e një letre kuzhine thajmë patëllxhanët nga lëngu që kanë nxjerrë.
Në një tigan të gjerë e të thellë hedhim vajin e ullirit dhe skuqim patëllxhanët sa të marrin pak ngjyrë dhe të zbuten.
Një pjesë të vajit do ta thithin patëllxhanët, kështu që tek ajo që mbetet do shtojmë karrotën e grirë, qepën dhe selinonë. I fërgojmë sa qepa të zbutet dhe më pas shtojmë mishin e grirë
E skuqim mishin e grirë për 2-3 minuta dhe shtojmë domatet të grira imët, kripë e piper dhe ujin.
E lëmë kimën të gatuhet në zjarr mesatar derisa uji të jetë avulluar në gjysëm dhe kima të mos jetë as shumë e ujshme e as shumë e thatë.
Për të përgatitur tavën, ngrohim furrën në 240˚C.
Shtrojmë në një tavë rrumbullake me diametër 25 cm një rresht patëllxhanë, patate, kungulleshka dhe e mbulojmë me gjysmën e kimës.
1Ripërsërisim shtresën e dytë me perimet e mbetura dhe e mbulojmë me kimën e mbetur.
E mbulojmë tavën me letër alumini dhe e pjekim për 20 minuta deri sa patatet të jenë zbutur.
Ndërkohë që tava gatuhet, përgatisim beshamelin.
Në një enë të thellë tresim gjalpin dhe shtojmë miellin.
E trazojmë sa mielli të njomet me gjalpin dhe shtojmë qumështin duke e rrahur me shpejtësi.
Rregullojmë me kripë dhe arrë moskat dhe duke e trazuar vazhdimisht e gatuajmë deri sa të trashet.
Kur patatet të jenë zbutur, nxjerrim tavën, e mbulojmë me beshamel dhe më pas shtojmë djathin e grirë sipër.
E pjekim edhe për 15 minuta të tjera dhe tava është gati.