MENU
klinika

Çështjet që pengojnë mbylljen e Reformës Zgjedhore

PD-LSI presin përgjigjen e maxhorancës për formulën e dytë

22.06.2020 - 10:32

Formula e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përcaktimi në Kodin e ri se si do të votojnë emigrantët, mbajnë pezull Reformën Zgjedhore.

Javën që shkoi Këshilli Politik punoi mbi gjetjen e një formule për përzgjedhjen e KQZsë së re, por pa sukses. Maxhoranca mbështeste propozimin e hartuar nga ekspertët e pavarur, Ilir Rusmajli dhe Viktor Gumi, që përzgjedhja e anëtarëve të rinj të KQ-së të bëhej nga Parlamenti, duke shmangur totalisht rolin e opozitës së bashkuar. Por kjo u kundërshtua automatikisht nga PD-ja, LSI-ja, e aleatët ndërkohë paraqitën propozimin e tyre

FORMULA I

Në mesjavën e kaluar opozita e bashkuar depozitoi në tryezën e Këshillit Politik formulën e tyre të përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Sipas tyre, procesi do të organizohej nga Avokati i Popullit si organi i pavarur. Institucioni i Avokatit të Popullit sipas opozitës do të shpallte garën për vendet vakante dhe do të përgatiste dy lista: një me ata të cilët plotësojnë kriteret dhe një me ata të cilët nuk i plotësojnë. Më pas një komision ad hoc me përbërje 3 nga maxhoranca dhe dy nga opozita e bashkuar do të bënin përzgjedhjen. Më pas ata do të dërgoheshin paketë në Parlament për t’u votuar. Kjo formulë u kundërshtua kategorikisht nga maxhoranca, madje duke kërcënuar edhe me largimin nga tryeza, pasi, sipas Gjiknurit, procesi duhet të zhvillohet në Parlament dhe jo jashtë tij. E gjendur në këtë situatë, opozita bëri propozimin e dytë.

FORMULA II

Propozimi i dytë i PD-së dhe aleatëve e kthente procesin në Parlament, por duke e ngarkuar atë vetëm me një detyrë. Formula e dytë përcakton se Kuvendi shpall garën dhe administron dosjen. Më pas një komision me 3 ekspertë përzgjedh se kush plotëson kriteret. Ndërsa ngrihet një komision ad hoc në Kuvend me profesionistë dhe jodeputetët, të cilët tre propozohen nga maxhoranca dhe dy nga opozita. Këta do të bëjnë përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së që më pas, njësoj si në formulën e parë, do të votohen në Parlament. Në lidhje me këtë formulë u la që ekspertët do të punojnë për ta thjeshtësuar, por, sipas burimeve, që nga dita e premte nuk ka pasur asnjë avancim të punës. E ndërsa Këshilli Politik shkon drejt përfundimit të Reformës, opozita në Parlament kërcënon me mosvotimin e draftit të Reformës pa u përmbushur kërkesat e tyre për hapjen e listave.