Shërbimi Informativ i Shtetit ngre alarmin se njerëz të drejtësisë, po bëjnë manovra për të ndikuar tek zyrtarët e vettingut.
“Për shkak të masave të shtuara kundër korrupsionit dhe reformës në drejtësi, elementë të sistemit të drejtësisë shfaqin kujdes të shtuar për të shmangur ekspozimin dhe lidhjet me elementë të besuar me akses direkt në Vetting, si dhe dëshirë për të dëshmuar performancë në proceset gjyqësore të drejtuara prej tyre, përmes formulimit të akuzave, zvarritjes së procedurave apo dhënies së vendimeve maksimale të parashikuara në ligj.
SHISH-i jep kontribut konkret në këtë drejtim për të zbuluar përfshirje të mundshme të elementëve të këtij sistemi në afera korruptive dhe në kuadër të Vettingut në drejtësi dhe Policinë e Shtetit”. Në raportin vjetor të Shërbimit, korrupsioni shihet si një plagë e madhe në sistemin e drejtësisë dhe në disa segmente të administratës publike. Lidhur me gjendjen politike dhe sigurinë në rajon, në raport thuhet se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, vijojnë të përballen me një sërë kërcënimesh:
“Zhvillime të brendshme të brishta politike; aktivitete influencuese nga aktorë gjeopolitikë e rajonalë për të dëmtuar, ngadalësuar apo bllokuar proceset integruese euro-atlantike, retorikë nacionaliste ekstreme, përfshirja në korrupsion e elitave politike, emigracioni i paligjshëm, qeverisje e dobët dhe situatë e vështirë ekonomike, si dhe mungesa e përparimit në dialogun Kosovë Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së”.
Një tjetër shqetësim që ngre Shërbimi Informativ i Shtetit, është edhe ndikimi i shërbimeve të huaja të inteligjencës, me qëndrim jomiqësor ndaj vendit tonë, të cilat po përdorin “fake news” si armën më të fortë për të arritur qëllimet e tyre.
“Këtu ndikon edhe dukuria e lajmeve të rreme, që po përdoret gjerësisht për synime influencuese. Kanale mediatike të shkruara dhe online, media sociale po përdoren edhe për shtrembërimin dhe manipulimin e realitetit nëpërmjet mohimit, mashtrimit dhe dezinformimit, me synime të caktuara. Objektivi është të ndikojnë mbi opinionin publik, të dëmtojnë kohezionin social, përçajnë vendimmarrjet kombëtare dhe ato ndërkombëtare në raport me zhvillime të qenësishme, shënjestrojnë e denigrojnë aktorë e faktorë ndërkombëtarë në raport me qëndrimet/rekomandimet e tyre ndaj vendeve të rajonit përfshi vendin tone”.
Në raport analizohen edhe çështje të krimit të organizuar apo terrorizimit./Bw