MENU
klinika

"Receta e mamit"

Ravioli të bëra në shtëpi, me gjizë dhe spinaq

07.06.2020 - 11:16

INGREDIENTËT

  • Për makaronat:
  • 200 gr miell 00
  • 100 gr miell me krunde (miell i trashë)
  • 3 vezë
  • Për mbushjen:
  • 300 gr gjizë pa kripë
  • 400 gr spinaq të freskët, të grirë hollë
  • 6 lugë djathë kaçkavall të grirë
  • 1 vezë
  • Kripë
  • Piper i zi
  • 2 lugë gjelle gjalpë
  • 5-6 gjethe sherebele

UDHËZIMET

  1. Për të përgatitur raviolit me gjizë dhe spinaq, fillimisht përgatisim brumin me vezë.
  2. Në tavolinën e punës ose në një tas të madh hedhim 2 llojet e miellit të situr, i hapim një gropë në mes dhe shtojmë vezët lehtësisht të rrahura me pirun.
  3. E punojmë brumin fillimisht me gishta duke bashkuar avash avash vezët me miellin që gjendet rreth e qark derisa të formohet një top brumi të cilin e punojmë në tavolinën e lyer me miell për të paktën 10 minuta derisa të rezultojë elastik.
  4. Në rast se brumi rezulton pak i fortë shtojmë 2 – 3 lugë ujë të ngrohtë apo në rast se rezulton pak i butë shtojmë edhe pak miell.
  5. E mbështjellim brumin me letër transparente dhe e lemë të pushojë për 1 orë në frigorifer.
  6. Ndërkohë përgatisim mbushjen:
  7. Përziejmë në pak vaj ulliri spinaqin e pastruar dhe të grirë hollë, i vendosim kapakun dhe e lemë derisa të avullojë i gjithë uji.
  8. E transferojmë në një tas në të cilin shtojmë edhe gjizën, djathin kaçkavall të grirë, vezën, pak kripë e piper të zi duke i përzierë mirë.
  9. E hedhim mbushjen në një qese pastiçerie dhe e lëmë mënjanë.
  10. Kur brumi të jetë gati e ndajmë në dy pjesë të barabarta dhe pjesën që nuk e përdorim e mbështjellim serish me letër transparente.
  11. Kjo për shkak se në kontakt me ajrin, brumi thahet dhe formon një kore të hollë e cila e prish lëmueshmërinë që duhet të kenë makaronat.
  12. E vendosim gjysmën e brumit në tavolinën e punës të lyer me miell krundesh dhe e hapim në fillim me pëllëmbën e dorës më pas me okllai të lyer me pak miell në mënyrë që të mos ngjisë.
  13. Me ndihmën e një thike me majë të mprehtë, e presim brumin në drejtëkëndësha.
  14. Vendosim një lugë të vogël mbushje me gjizë dhe spinaq në mes, i lyejmë anët me ujë dhe e palosim raviolin duke i shtypur mirë anët në mënyrë që të eleminojmë ajrin në brendësi dhe mbushja të mos dalë gjatë gatimit.
  15. I japim formë raviolit duke perdorur një rrotë të dhëmbëzuar për makarona.
  16. Me një pjesë brumi duhet të dalin 8-10 ravioli.
  17. Procedojmë në të njëjtën mënyrë edhe me pjesën tjetër të brumit.
  18. Ndërkohë në një tigan shkrijmë gjalpin në zjarr të ulët dhe skuqim për 3-4 minuta gjethet e sherebelës.
  19. Pasi të kemi përgatitur të gjithë raviolit, i ziejmë në ujë të bollshëm me kripë për 4 minuta, i kullojmë mirë dhe i vendosim nëpër pjata.
  20. Siper i spërkasim me gjalpin e aromatizuar me sherebelë dhe pak djathë kackavall të grirë.
  21. I sherbejmë menjëherë të dekoruara me ndonjë gjethe sherebele.