MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 30

Tirana nuk gabon, rikthehet menjëherë te fitorja

19.06.2020 - 17:52

Tirana nuk gabon dy herë radhazi. Bardheblutë menjëherë i janë rikthyer fitores, duke mposhtur 3-0 Vllazninë në “Selman Stërmasi”. Një sukses që rikthen Tiranën 9 pikë para Kukësit të vendit të dytë, por me këtë të fundit që kanë një ndeshje më pak.

Thuajse gjithçka është vendosur në çerekorëshin e fundit të pjesës së parë. Torasa nuk e ka pasur të vështirë të realizojë me portën bosh pas një pasimi perfekt të Ngoo në minutën e 31-të. Një gol që ka çliruar vendasit, të cilët nuk vonojnë për golin e dytë.

Pesë minuta më vonë do të ishte vetë Ngoo që do të realizonte golin e dytë për Tiranën, teksa i vetëm përballë portierit të Vllaznisë nuk mund të gabonte. Janë minuta të mira për Tiranën, por Hoxhallari bën një gabim amator në fundin e pjesës së parë. Duke pasur një karton të verdhë, ai simulon në zonën kundërshtare dhe për pasojë merr të dytin të verdhë dhe lë ekipin me 10 vetë.

Në pjesën e dytë, Tirana duke qenë në inferioritet numerik, por në avantazh të dy golave, preferon kundërsulmin, ndërsa Vllaznia është e pafuqishme. Një strategji që jep efekt për bardheblutë, që realizojnë golin e tretë me Cale në minutën e 63-të.

Më pas ka pak histori, Tirana administron rezultatin, ndërsa shkodranët nuk janë në gjendje të shënojnë një gol nderi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN