MENU
klinika

Takohuni me fantazmat!

10 vendet e pushtuara nga shpirtrat nëpër botë

24.07.2020 - 13:45

       Filma horrorë, histori të frikshme ose trena-fantazmë: sa na pëlqen ta trembim njëri-tjetrin! Këto dhjetë destinacione na shpien përtej imagjinatës, në vende ku paranormalja është pjesë e jetës së përditshme. Legjenda urbane, kronika të zeza meskine apo ngjarje prekëse, të gjitha mbartin reputacionin si të pushtuara nga fantazmat dhe do të drithëronin edhe më guximtarët! Madje do të takonim fantazma! Nga Italia në Shtetet e Bashkuara përmes Japonisë, një tur nëpër shtëpitë e shpirtrave më të famshme në botë./Konica.al

Kështjella Glamis dhe shtatë fantazmat e saj

Në lindje të Skocisë, kështjella Glamis ishte shtëpia e nënës mbretëreshë Elizabet. Vizita e frëngjive elegante ose apartamenteve mbretërore na zbulon ambjente të brendshme të jashtëzakonshme, megjithatë shëtitjen mund të na e shqetësojë ndonjë nga shtatë fantazmat e kështjellës! Midis tyre, Lordi i dytë Glamis, një lojtar i pandreqshëm, i cili do të murosej i gjallë gjatë një loje pokeri, apo zonja Janet Douglas, e dënuar për magji.

Mbretëresha Meri, një vapor i përndjekur

Mbretëresha Meri, e cila dikur lundronte nëpër transatlantik, tashmë është shndërruar në një hotel, e ankoruar përgjithmonë në Long Beach, në Kaliforni. Gjatë vizitës të bien në sy dekorimet e kushtueshme të salloneve dhe pistave të vallëzimit, njëherazi dhe misteret dhe legjendat që rrethojnë anijen. Për më guximtarët, organizohen ture edhe natën: kjo do mundësonte fare mirë takim me shpirtrat që banojnë në atë vend!

Aokigahara, pylli i mallkuar

Nëse mendimi për t’u përhumbur në një pyll iu frikëson deri tmerrësisht, atëherë nuk është rasti të ndërmerrni një aventurë në Aokigahara, rrëzë malit Fuji, në Japoni. Ky i fundit përndiqet nga shumë shpirtra: yurei. Përveç kësaj, brenda këtij labirinti të dendur gjelbërimi nuk funskionon as GPS, pra është shumë e vështirë të gjesh rrugën tënde! Të gozhduar në trungje pemësh, do të hasni kukulla vudu që ndjellin fatkeqësi.

Kalaja e Londrës dhe fantazmat nga e kaluara

Është një nga monumentet më të vizituar në Britaninë e Madhe. Kalaja e Londrës u ndërtua në shekullin e 11-të nga Guillame le Conquérant për të mbrojtur qytetin para se të kthehej në burg, ku u ekzekutuan shumë njerëz. Sot, duket se fantazmat e së kaluarës po rishfaqen, veçanërisht Anne Boleyn, një nga shoqërueset e Henry VIII, të cilës iu pre koka pranë Kullës, ose Henry VI./Konica.al

Kështjella e Akershus dhe gardiani i saj i frikshëm

E ndërtuar në shekullin XIII për të mbrojtur Oslon, kështjella Akershus ka njohur devijime të shumta gjatë historisë së saj. Sot, ajo do të banohet nga shpirtrat, kurse hyrja ruhet nga fantazma e një qeni, Malcanisten, dikur i varrosur i gjallë pranë kalasë. Ky i fundit fillon e lehë kur dikush përpiqet të hyjë në kështjellë. Po ashtu, gjatë natës ndjehen trokëllimat e një kali kobzi, i cili terrorizon rrethinat.

Kalaja “Commarque” dhe të dashuruarit e saj

Kalaja “Commarque”, në Dordogne, ruan një legjendë të denjë për film romantik, për më tepër me fantazma. Më shumë se 500 vjet më parë, vajza e kontit të Commarque ra në dashuri me djalin e rivalit të të atit. Për të parandaluar lidhjen e tyre, konti e mbylli të dashurin e vajzës në birucën e kështjellës, përpara se t’i priste kokën. Sot, fantazma e kalit të të riut ende mund të dëgjohet, duke u endur në kërkim të të zotit.

Hoteli “Stanley”, në gjurmët e “Shining”

Në thellësitë e Kolorados, në Estes Park, Hoteli “Stanley” frymëzoi Stephen King të shkruante romanin e tij horror “The Shining, child light”. Shkrimtari, i cili kaloi një natë në atë hotel, përjetoi një makth të tmerrshëm, në të cilin djali i përndiqej nga një shigjetë zjarri. Ky ishte edhe makthi që frymëzoi romanin e tij dhe, më pas, filmin e Stanley Kubrick. Edhe sot mund të flini në atë që konsiderohet të jetë një nga hotelet më të përndjekura në Amerikë.

Isla de las Muñecas, ishulli i kukullave

Kukullat që gjenden në ishullin Muñecas, në rajonin e Xochimilco në Meksikë, nuk do t’i ëndërronte asnjë fëmijë. Një banor i ishullit i grumbulloi dhe i vari në pemë, pasi u prek nga mbytja në kanal e një vogëlusheje. Me kalimin e viteve, banorët e vijuan ritualin, deri në atë pikë sa t’i bënin pemët të lasariteshin nën peshën e kukullave.

Burgu i Shtetit Lindor, burgu i përndjekur

Në veri të Filadelfias, në Shtetet e Bashkuara, gjendet një qendër ndëshkimi tejet imponuese. U hap në 1829, ajo strehoi Al Kaponen e famshëm dhe një numër të mirë të burgosurve të dënuar me izolim të plotë. Para se burgu ta revolucionarizonte ambientin, duke ndaluar për herë të parë ndëshkimin trupor, atje u kryen akte torturash çnjerëzore dhe, siç duket, shpirtat e ish-të burgosurve ende enden nëpër muret e kësaj ndërtese, që në ditët e sotme e vizitojmë si muze.

Ishulli Poveglia, terror në Venecia

Edhe pse shtrihet në lagunën e Venecias, në ishullin Poveglia nuk do të gjeni asnjë turist: ky i fundit është i ndaluar për publikun, sepse pretendohet se është i mallkuar! Gjatë Rilindjes, në ishull u varrosëm ose u dogjën të sëmurët e murtajës, dhe ata ende bredhin atje sot, jo larg qytetit të Doges. Më vonë, u ndërtua një spital psikiatrik në Poveglia dhe shumë pacientë kaluan atje ditët e tyre të fundit. Çfarë brenge!/Konica.al