MENU
klinika

Draftrezoluta

Anëtarët e rinj të skemës së sigurimit të depozitave

01.07.2020 - 07:50

Agjencitë e kursim kreditit do të bëhen anëtare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për të garantuar paratë që konsumatorët investojnë në këto shoqëri. Propozimi është pjesë e draftrezolutës së dorëzuar në Kuvend nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, e cila propozon që shoqëritë e kursim-kredisë të hyjnë në skemën e sigurimit. Një gjë e tillë synon “rritjen e gatishmërisë operacionale për një ngjarje të mundshme kompensimi, duke kryer simulime të përgjithshme, me pjesëmarrjen e bankave agjente, si dhe simulime teknike me të gjitha bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit, anëtare të skemës së sigurimit të depozitave.

Rinovimin e marrëveshjes ekzistuese të bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë, në rolin e saj si Autoritet Mbikëqyrës, me synim krijimin e një platforme bashkëpunimi lidhur me ndërhyrjen e jashtëzakonshme dhe rolet respektive.” – thuhet në raport. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i rekomandon Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, që gjatë vitit 2020 të fokusohet në ndjekjen e problematikave të konstatuara gjatë verifikimeve në të gjitha bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit që janë anëtare të skemës së sigurimit të depozitave dhe rekomandimeve dhe afateve të lëna nga ASD, duke mbajtur parasysh rëndësinë e saktësisë së raportimit të skedarëve për plotësimin e objektivit kryesor të Agjencisë, kompensimin e depozituesve, në rast të një ngjarjeje kompensimi.

Agjencia e depozitave duhet të hartojë dhe të vërë në zbatim të platformave që synojnë përmirësimin dhe cilësinë e të dhënave të depozituesve, duke vendosur afate dhe parametra të caktuar, veçanërisht adresimin e çështjeve të lidhura me numrin personal, mungesa e të cilit është problematike edhe në funksion të plotësimit të objektivave të Agjencisë.’- thuhet në draft. Ndërkohë agjencia ngarkohet me detyrën që të ndjekë efektivitet dhe ecurinë mjeteve financiare të fondit, të investuara në përputhje me strategjinë vjetore të investimit për vitin 2018 dhe 2019, miratuar nga Komiteti i Investimeve të Agjencisë, në përputhje me funksionin e ASD si administruese e këtyre mjeteve financiare të fondit.

Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme

Lexo edhe : Pensionet private/ Arrin në 28 mijë numri i kontribuuesve, ja përfitimet
Deri në prill të këtij viti fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme u shtua me 654 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave. Në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për tre vjet që nga themelimi i tij, fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme arrin në nivelin e rreth 1,9 miliardë lekëve. Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, me qëllimin e zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë. Në zbatim të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, brenda vitit 2027, fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0,5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë. Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit.

Sipas afatit të përcaktuar në ligj, fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën e 6,5 miliardë lekëve brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2020, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 654 milionë lekë. Kontributi vjetor u pagua i plotë, në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sistemit bankar, brenda datës 30 prill 2020. Në bazë të pasqyrave financiare të certifikuara për dhjetorin 2019, mjetet financiare të fondit shënuan vlerën 1,3 miliardë lekë. Pas mbledhjes së kontributit për vitin e tretë, mjetet financiare të fondit të ndërhyrjes u rritën në nivelin e rreth 1,9 miliardë lekëve, si rezultat i kontributeve vjetore të bankave të mbledhura në tre vite (2018-2020). Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.

INSTAT, ekonomia bie me 2,25% në tre muaj

Ekonomia shqiptare është tkurrur me 2,25% në tre muajt e parë të vitit. Dy sektorët që kanë ndikuar më negativisht në rritjen ekonomike janë ndërtimi, me -1,29 pikë përqindje, i cili u frenua pas tërmetit të 26 nëntorit. Të dhënat janë bërë të ditura nga Instituti i Statistikave, ku mësohet se rënia më e fortë nisi pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19, të cilat ndikuan në aktivitetet e tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor, gjë që ka ndikuar negativisht me 0,58 pikë përqindje, si dhe në aktivitetet profesionale dhe administrative, me -0,55%.

Këto grupe pritet të ketë shënuar një rënie më të madhe në tremujorin e dytë, ku për dy muaj pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, ndërsa ndërtimi ka qenë aktiv edhe gjatë periudhës së COVID-19. I vetmi sektor me rritje ishte bujqësia, që ndikoi pozitivisht me 0,71 pikë përqindje. COVID-19 ka ndikuar negativisht dhe në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese (-0,45%), informacionin dhe komunikacionin (-0,15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-0,16%). Sipas INSTAT-it, aktiviteti i ndërtimit pati një rënie me 16,66%. Grupi i aktiviteteve tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor pati një rënie prej 3,65%. 7

Grupi i aktiviteteve informacioni dhe komunikacioni u shfaq me rënie prej 5,13%. Aktiviteti financiar dhe i sigurimit ka shënuar një rënie prej 7,18%. Aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje prej 2,96%. Grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 8,37%. Grupi i aktiviteteve të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë pësoi rënie me 0,31%. Grupi i aktiviteteve arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 1,06%.Taksat neto mbi produktet u ulën me 1,79%.