Një tjetër pistë dorëzohet për garat e Moto GP. Organizatorët e Çmimit të Madh të Amerikës në Moto GP, që zhvillohet në pistën e Austin, kanë vendosur të mos zhvillojnë garën këtë vit për shkak të koronavirus.
Ata kanë anuluar përfundimisht garën, duke u dhënë fund hamendjeve për një shtyrje të mëtejshme. Situata me pandeminë e Covid-19 është ende kaotike në Amerikë, ndaj dhe u mor vendimi për ta anuluar garën e planikuar të zhvillohet më 15 nëntor. Kjo pistë do të rikthehet në kalendar në vitin 2021.
Sezoni 2020 i Moto GP do të nisë më 19 korrik në pistën e Jerez në Spanjë. Deri më tani janë konfirmuar 13 gara, 7 prej të cilave në Spanjë. Të gjitha garat aktualisht në kalendar janë vetëm në Europë. Mendohej se do të shtohej pikërisht gara në SHBA, por tashmë kjo është anuluar.
Gjithsesi, kalendari i Moto GP për këtë vit mund të shtohet edhe me pistat e Malajzisë, Tajlandës dhe Argjentinës, por organizatorët e këtyre pistave duhet të paktën të garantojnë 50% publik, ndryshe drejtuesit e Moto GP nuk do të fusin në kalendar gara jashtë Europe, pasi ka humbje shumë të mëdha.