Shpenzimet marramendëse janë një “mollë e ndaluar”, por ato pak ndërhyrje në merkato kanë rezultuar gjithmonë lëvizje fituese. Bayern Munich nuk e ka fshehur për asnjë moment dëshirën për të nënshkruar me lojtarët më të mirë në qarkullim dhe kur bëhet fjalë për ato të kombëtares së Gjermanisë, interesi rritet si me magji.
Leon Goretzka, Joshua Kimmich dhe Serge Gnabry konsiderohen si e ardhmja e futbollit te Bayern dhe në kombëtaren gjermane, por pavarësisht cilësive, nënshkrimi me ta ka kushtuar më pak se 16.5 milionë euro.
Ndërkaq, Leroy Sane ishte dhurata e fundit për tifozët nga drejtuesit e gjigantit bavarez, të cilët synojnë që të dominojnë edhe për shumë vite më radhë arenën futbollistike. 60 milionë eurot e shpenzuara për kartonin e 24-vjeçarit është tepër e lartë krahasuar me shumë marrëveshje që Bayern ka mbyllur në vitet e fundit.
Por, nëse kësaj liste i bashkohen edhe emra si Robert Lewandowski, Thiago apo dhe Jerome Boateng, shpenzimet totale arrijnë në jo më pak se 144 milionë euro, thuajse sa gjysma e atyre që nxjerrin nga xhepi shumica e skuadrave elitare në Europë.
Thuajse një formacion i tërë, por shpenzimet e Bayern as nuk krahasohen me ato të shpenzuara nga Barcelona, që vetëm për të marrë Philippe Coutinho nga Liverpool pagoi 145 milionë euro. Lëvizje që rezultoi e dështuar për brazilinin, i cili emigroi drejt Bayernit për të gjetur hapësira.
Madje, e ndihmoi gjigantin gjerman që të kompletojë dopietën e titujve në këtë sezon, për ta dërguar në 8 numrin e trofeve radhazi të Bundesligës. Fakte që tregojnë se Bayern shpenzon me mend kur futet në merkato, duke qenë edhe shembull për shumë skuadra që duan të arrijnë majat.