MENU
klinika

Bukuria që vret

Dhe njerëzit kundrejt njerzve s’kanë mëshirë, por kundrejt shtazëve-po

20.07.2020 - 06:14

Hëna e zbehtë, si fytyra e një të vdekuni, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollet e kristalizuara të katundit, të cilat as frymë nuk marrin. Dhe të vret kjo bukuri e bardhë. Vret shpirtin e malsorit, siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e ftohtë e grues së lakuriqët.

E në kasollë, e cila gjëmon nën barrën e borës, derdhen dy ngjyra, kuq e zi. I kuq zjarrmi i votrës në mes të kasolles, e i zi rrethi. Të zeza, t’errta janë skutat e kasolles nga ndëgjohet blegrim e mekun e ndoj delje, ose kumbona e lopës. Edhe atë e vret bukuria e bardhë. Nga goja u del avulli i afsheve që ngrihen n’ajr, bjen me qimet e tyne si brymë dhe kristalizohet. Heshtje. Gjithkafshja e kristalizueme. Një dorë shtrihet, zen një dru, e shpupuris zjarrmin. Rropos një botë gacash. Flaka lëpin errsinën e shkëndijat kërcejn nën tra dhe nëpër ftyra rreth votrës. E trupat e njerzve dridhen, nëpër kurriz u përshkohet të ftohtit që vjen nga skutat, andej nga errsina. Brr…uf…andej mbrapa shpinet përpijnë errsina me të ftohtit e saj.

-Po shikoi mos ngrin Laroja?

Dhe çohen, i lëshojnë vend rreth zjarrmit Larojës, lopës së shtëpisë. Të nxehet dhe ky pjestar i familjes në kasollen e kristalizueme. E Laroja din si duhet m’u shtrimë rreth zjarrmit. Por, me trupin e saj të madh, gati shtypi dy vocrrakë, të cilët i kish zënë gjumi pranë zjarrmit.

E kur andej nga mesnata acarimi arrin dhe kulmin e vet, atëherë ndër bagëti fillon një lëvizje. Po, një lëvizje. Një nga një u aviten njerzve e me sytë e vet, si me u lutë:”Na lëshoni vend dhe neve të ngrofemi pak rreth zjarrmit, se u ngrimë…”

Dhe njerëzit kundrejt njerzve s’kanë mëshirë, por kundrejt shtazëve-po. Prandaj çohen, ua lëshojnë bagëtis vendin rreth votrës, e ata vetë shkojnë n’errësinën që përpin.

….Dhe agimi zbardh me bukurinë e bardhë që vret. Çohen njerzit me trupat e mpimë dhe me kujtim në ndërgjegje se u kalue dhe një natë e vështirë. U çuen, po nuk çohet një vocrrak. Dora e s’amës shtrihet mbi të dhe m’at çast një britmë e tmerrshme shpoi zemrat e kasolles. Dhima e nanës i shkrin zemrat në vaj, por ç’e do, kur nuk shkrin zemrën e ngrime të vocrrakut.

Po, ishte ngrimë loka e nanës. Gjaku i tij i kuq e i purpurt ish ngri ndër dej dhe në zemër, ish bamë Kristal, që të bahet një servis për milionarin, jo, gjaku ish ba rubis, për gjerdhanët e metresave. E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë një shtatore e ngurët. Shtatore e ngurët e zhgulun nga gjini i nanës.

-Merrnie dhe çonie në qytet këtë shtatore. Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka më shumë merita për këtë vend!Po, ndoj ministrit o deputetit, o ndokujt tjetër…E në rast se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndis klasike.