Komisioni i Etikës pranë FSHF-së nisi të enjten seancat dëgjimore për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Bylis–Tirana, pas dyshimeve për trukim, pasi mallakastriotët e fituan me përmbysje 2–1. Gjyqtarët e takimit, përfaqësues të Bylisit e lojtarë u pyetën nga anëtarët e Etikës rreth sfidës, ndërsa gjatë kësaj kohe kanë mbledhur materiale.
Kanë munguar përfaquesit e Tiranës, për të cilët kryetari i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka, tha: “Tirana nuk u paraqit dhe u shty për njëherë tjetër. Administrata e Federatës i ka dërguar një email, ndërsa Tirana thotë se ai e-mail nuk ekziston. Ne i kemi dërguar një email, ku i lamë afat. Mbledhja e radhës është lënë për ditën e martë. Nuk mund të them për penalizimet.”
Ndërsa drejtuesit e klubit të Tiranës pohuan se ata janë lajmëruar për t’u paraqitur të martën e ardhshme në orën 14:00. Presidenti i klubit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, deklaroi se ekipi i tij është i pastër:
“Ne jemi të pastër, të hapur jo sot por gjithmonë. Nga fillimi i kampionatit dhe deri tani nuk mund të baltosemi, pasi kemi bërë një kampionat dinjitoz dhe nuk duhet të hidhet baltë mbi ne. Bylisi nuk është Reali Madridit dhe mund ta kontrollojë një ndeshje si të dojë.”
Në pyetje u mor edhe administratori i Vllaznisë, Suad Lici, i cili vuri në dyshim integritetin e ndeshjes me deklaratat e tij. Hetimi ka nisur prej disa ditësh dhe pritet që rasti të shqyrtohet me kujdes dhe nëse gjendjen fajtorë pritet të ketë penalizime të rënda, madje edhe përjashtim nga aktiviteti.