Ishte shpallur në kërkim për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, kapet i kërkuari në Shijak.
Specialistët e krimeve në komisariatin e policisë Shijak arrestuan të shumëkërkuarin shtetasin Alvaro Jashari, i cili akuzohet për plagosjen e Enri Isait.
Policia e Shtetit jep detaje për operacionin në Shijak që çoi në arrestimin e një 34-vjeçari të konsideruar person me rrezikshmëri shoqërore.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stadiumi”.
Në kuadër të operacionit, i cili u zhvillua në kushte të larta sigurie pasi personi paraqiste rrezikshmëri shoqërore, u bë e mundur që në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Shijak, në harkun kohor prej katër minutash, nga shërbimet e Policisë të kapej dhe të vihej në pranga shtetasi:
Alvaro Jashari, 34 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Ky shtetas, më datë 30.05.2020, rreth orës 20:45, te stadiumi në Shijak, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin E. I., 28 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënimin me burgim deri në 7 vjet.