MENU
klinika

VATRA

“Vlora, Vlora” – kush ishte korçari “amerikan” i këngës së famshme?

06.07.2020 - 16:13

       Gjithkush i ka të njohura vargjet e këngës “Vlora, Vlora”. Ky himn u kompozua para një shekulli, nga Thoma Nassi (1892-1964).

Lindur në Dardhë të Korçës, emigroi fillimisht në Greqi dhe më pas, në vitin 1914, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që në moshë të re shfaqi talentin në instrumentet e violinës dhe flautit.

Në vitet 1915-1916, së bashku me shqiptarët e Amerikës themeloi dy formacione orkestrale: mandolinatën “Dodona” dhe Bandën Frymore të Federatës Panshqiptare “Vatra”. Në krye të saj, më 1920 u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës.

Në vitin 1916 hyri në Konservatorin e Nju Inglënd dhe kreu aty studimet për flaut dhe dirigjim. Pas studimeve punoi si flautist jo definitiv me orkestrën simfonike të Bostonit.

Gjatë kësaj periudhe ai organizoi për herë të parë një bandë muzikore për shoqatën VATRA. Ai do t’i mësonte vetë shqiptarët si të luanin në veglat muzikore. Po ashtu Thomai është i pari që organizoi meshat në kishën orthodokse të shqiptarëve në Boston duke i mësuar koreve fetare të këndonin meshën në Shqip.

Gjatë viteve 1920-të ai do të merrte bandën muzikore të Vatrës, të cilën e pat’ ngritur po vetë, edhe do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Në këtë periudhë të vështirë për Shqipërinë, e sapo shpallur shtet sovran, ai dhe banda e tij do të udhëtonte në çdo trevë shqiptare duke luajtur këngë patriotike për të ngritur moralin e popullsisë dhe ushqyer ndjenjën kombëtare tek to.

Gjatë viteve 1920-1925 qëndroi në Korçë, duke iu kushtuar gjerësisht aktivitetit krijues muzikor. Këtu zënë fill edhe kompozimet e disa këngëve lirike dhe pjesëve të vogla instrumentale, si: “Fyelli i bariut”, “Bilbili”, “E qarë”, “Katër valle”, etj. kryesisht për instrumentet flaut, violinë e piano. Në gjashtë vite të qëndrimit në Shqipëri, ai u bë një nga nismëtarët e gjallërimit të jetës muzikore të vendit, organizator i sistemit të edukimit muzikor në shkolla dhe ngritjes së orkestrave frymore e formacioneve korale. Ndihmesa e tij në krijimin e traditës dhe konsolidimit të Këngës Qytetare, përbën gjithashtu një ndër meritat kryesore të punës së tij si krijues muzike dhe organizator profesionist.

Në vitin 1926 Thoma Nassi u largua nga Shqipëria për në SHBA, ku vazhdoi punën si dirigjent i orkestrave frymore.

Nga këtej e tutje, gjithë jetën në Amerikë do t’ia kushtonte muzikës. Në vendin e largët, atij do t’i njihen krijimet e disa orkestrave simfonike, siç qenë “Cape Cod Filarmonik Orkestra” dhe rruga do të vazhdonte në qytete të tjera, si: Orleans, Truro, Chatham, Province Town, Eastham etj. Në Amerikë ai njihet si pionieri i muzikës klasike.

Çfarë shkruante Faik Konica për Thoma Nasin, në artikullin e parë muzikologjik “Sweet Power of Music”:

“… një grup shqiptarësh të Amerikës djemtë e bandës “Vatra” të Worcester-it, me profesorin Thoma Nassi në krye, përpiqen të bëjnë të njohur muzikën e mirë në Shqipëri. Misionarë të përulur të Atit të perëndishëm, këta besnikë të palodhur të arrijin në pak kohë të mbajnë rekordin e mundimeve në Shqipëri. Kur vanë nga Amerika, udhën nga Durrësi në Korçë e bënë në këmbë, duke u hequr zvarrë disa Profesor Thoma Nassi
javë nga mali në mal e nga qyteti në qytet, nëpër shi e nëpër balte, duke fjetur shumë herë në brigjet a në luadhet; në rrethet e Vlorës u bashkuan me kryengritësit heroike që lëftojin për çlirimin e vendit, edhe topat e italianëve përcuallnë marshet e bandës me nota të forta, të përshkruara në kartë. Në Korçë a muarnë fund pësimet e tyre?. Prapë jo. Se “guverna” bëri kohë sa të kuptojë (në ka kuptuar kurrë) që banda “Vatra” është një institutë nacionale dhe që të mbajturit e saj është në interes të Kombit; se vlerën qytetëronjëse të muzikës së vërtetë as kafshët s’mund ta mohijnë. Po edhe rrogat e vogla, që”guverna” u lidhi djemve të bandës, nuk ka paguar me rregull. Dhe me gjithë këto, pionierët e muzikës në Shqipëri nuk qahen, s’na kërkojnë ndihmë për veten e tyre, sado që do të kishin të drejtë të prijsin nga Amerika dhe veçan nga Federata jonë çfarëdo përkrahje. Jo, ata na kërkojnë vetëm copëra muzike, që ta zgjerojnë qarkun e programeve të tyre. Se “guverna”, e cila kuptoi që këtyre qyteteronjësve duhet t’u sigurojë jetën, s’ka kuptuar që duhet t’u shtojë edhe veglat e punës”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Jazz 'pushton' Shkodren

“Shkodra Jazz Festival”

Publikohet për herë parë zëri i Konicës

“Pushtimi nga Italia thikë pas shpine Shqipërisë”