MENU
klinika

Kadastra në lëvizje

Ligji 20/ Tokë bujqësore pa shpërblim

14.07.2020 - 07:37

Personat që kanë jetuar në fshat deri në gusht të 1991-shit, do ta marrin tapinë për tokën brenda gjashtë muajve. Bazë për kalimin e të drejtës mbi pronën do të jetë certifikata familjare e para 29 viteve. Përfitimi nga rreth 220 mijë familje që jetojnë në fshat dhe nisma që pritet të vihet në zbatim në muajt e ardhshëm.

Nga Ornela Bereti

Personat që kanë marrë tokë në vitin 1991, në bazë të ligjit 7501, do të pajisen me tapi brenda gjashtë muajash. Sipas ligjit 20/2020, i cili ka hyrë në fuqi, certifikata e pronës do të jepet në bazë të aktit të marrjes së tokës në përdorim.

Përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, subjektet që plotësojnë, njëkohësisht, këto kushte: a) janë përfitues të tokës në pronësi ose përdorim, sipas akteve nënligjore që kanë rregulluar marrëdhëniet juridike të ndarjes apo dhënies në përdorim të tokës bujqësore të vitit 1991 e në vazhdim.

Subjekte përfituese janë edhe punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991. Përfitojnë nga ky ligj personat që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991.

Në ligj është parashikuar që të marrin tapinë edhe personat që nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ish-kooperative apo ish-ndërmarrjeje bujqësore tjetër. Toka që kalohet në pronësi, pa shpërblim, duhet të përmbushë, njëkohësisht pesë kushte. E para, toka duhet t’i përkasë njërit prej zërave të tokës bujqësore.

E dyta, të mos jetë pronë private e të tretëve. E treta, të mos jetë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas legjislacionit në fuqi për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. E katërta, të mos jetë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues. E pesta, të mos jetë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë. Nëse ndalimet e listuara në këtë pikë janë të pranishme për një pjesë të sipërfaqes së tokës, kalimi i pronësisë, pa shpërblim, zbatohet vetëm për pjesën e mbetur.

Përfitues

Janë rreth 1 milion parcela toke bujqësore të ndara që në vitin 1991, me ligjin 7501, që presin të marrin tapinë. Numri i parcelave u korrespondon rreth 220 mijë familjeve në të gjithë vendin. Personat që kanë jetuar në fshat dhe kanë përfituar tokë bujqësore prej 30 vjetësh, presin të marrin dokumentin e pronësisë, të cilin duket se do ta “fitojnë” me hyrjen në fuqi të ligjit për trajtimin e pronave.

Sipas ligjit 20/2020, akti i marrjes së tokës në pronësi, i fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, i paregjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga ASHK-ja.

Ai regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nëse plotësohen njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

a) përfituesi i AMTP-së ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të ish-kooperativës apo ish-ndërmarrjes bujqësore;

b) përfituesi i AMTP-së ka marrë tokë në territorin e vetëm një ish-kooperative ose ish-ndërmarrjeje bujqësore; c) toka për të cilën është lëshuar AMTP-ja nuk ka qenë “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit. Ligji prashikon që për AMTP-të që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij neni, kur kanë mangësi në elementet e formës, mungesa e këtyre elementeve nuk pengon regjistrimin, me kusht që nga dokumentacioni i procesit të ndarjes së tokës bujqësore, që Agjencia Shtetërore e Kadastrës administron.

Përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, subjektet që plotësojnë, njëkohësisht, këto kushte:

a) Janë përfitues të tokës në pronësi ose përdorim, sipas akteve nënligjore që kanë rregulluar marrëdhëniet juridike të ndarjes apo dhënies në përdorim të tokës bujqësore të vitit 1991 e në vazhdim. Subjekte përfituese janë edhe:
1) punonjësit e ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991;

2) personat që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991;

3) Personat të cilëve u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, ose trashëgimtarët e tyre;

b) Nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ish-kooperative apo ish-ndërmarrjeje bujqësore tjetër;
c) Deri në 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë paraqitur kërkesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për plotësimin me AMTP për tokat e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, pavarësisht nëse janë pajisur ose jo me aktin e marrjes së tokës në përdorim;
Lexo edhe : Problemet në Kadastrën e Vlorës, Lame: Për dy muaj përfundon procesi i regjistrimit të pronave
ç) Janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.

Ndërtimet para vitit 1991, procedura për të marrë tapinë

Përfitojnë 16802 shtëpi në të gjithë vendin

Personat që kanë ndërtuar shtëpi para gushtit të vitit 1991 dhe nuk kanë marrë ende certifikatën e pronësisë, do të pajisen me tapi. Janë në total 16804 ndërtime të cilat presin prej 29 vjetësh dokumentin e pronësisë. Deri tani kanë marrë dokumentin e pronësisë 249 ndërtime në të gjithë vendin. Për ndërtimet që nuk ka akte të fitimit të pronësisë, do të jepet tapia vetëm nëse për truallin ka dokumentacion pronësie. Kalimi i pronësisë do të bëhet për ndërtesat dhe truallin funksional, kurse për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë do të realizohet pa pagesë.

Dokumentet

Pronarët e ndërtimeve duhet të paraqesin një kërkesë pranë Kadastrës. Të dhënat e kërkesës verifikohen në terren dhe bëhen publike për 30 ditë, në ambientet e njësisë administrative ku gjendet pasuria. Për ndërtimet e paregjistruara ose të regjistruara pa titull pronësie, për të cilat nuk është paraqitur aplikim për legalizim, Kadastra verifikon nëse ndërtimi është i pranishëm në produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë të vitit 1994.

Nëse ndërtimi ndodhet në një territor të papërfshirë në këtë fotografim, Kadastra verifikon me radhë produktet e fotografimeve ajrore të viteve 1999, 2001 dhe në fund, atë të vitit 2007. Nëse ndërtimi është i pranishëm në të paktën njërin prej materialeve fotografike të mësipërme, ai prezumohet se është ndërtuar para datës 10.8.1991 dhe trajtohet sipas dispozitave të këtij vendimi.

Krahas procedurave të mësipërme, brenda 20 ditëve nga konstatimi i gjendjes ndërtimore në terren, Kadastra verifikon nëse është regjistruar më parë ose jo titull pronësie dhe verifikon në zyrat Agjencisë së Trajtimit të Pronave nëse është marrë ose jo vendim për kthimin e pronës.

Institucionet e sipërpërmendura detyrohen të vendosin në dispozicion informacionin e kërkuar brenda 10 ditëve. Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të Kadastrës tarifën e shërbimit në vlerën 8000 lekë për çdo kat ndërtimi, e cila përdoret për të përballuar shpenzimet e evidentimit në terren dhe shpenzimet e tjera të procedurës administrative.

Kjo tarifë i njoftohet përfituesit menjëherë pas përfundimit të periudhës së afishimit, nëse përmbushen kushtet për të përfituar kalimin e pronësisë. Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet në favor të subjektit kërkues dhe bashkëshortit/es së tij, duke respektuar dispozitat e Kodit të Familjes për regjimet pasurore martesore.

Në rast se subjektet nuk paraqesin dokument që provon regjim pasuror martesor të veçantë apo marrëveshje të posaçme noteriale për të drejtat mbi ndërtesën, vendimi miratohet në favor të të dy bashkëshortëve, duke prezumuar regjimin e bashkësisë ligjore.

Kalimi i pronësisë mbi truallin shtetëror në përdorim

ASHK-ja kryen kalimin e pronësisë për:

a) Trojet e paprivatizuara të ndërtesave të privatizuara nga shtetasit me ligjin nr. 7512, datë 10.8.1991,“Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të shfuqizuar;
b) Trojet e paprivatizuara të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të shfuqizuar;
c) Trojet e paprivatizuara, mbi të cilat janë ngritur ndërtesa, në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore, shitja e të cilave është realizuar nga ish-kooperativat bujqësore apo organet e qeverisjes vendore.
Nisja e procedurës së kalimit të pronësisë

Procedura e kalimit të pronësisë, sipas këtij kreu, iniciohet si më poshtë:

a) Nga kërkesat e paraqitura nga subjektet e interesuara pranë strukturave përgjegjëse për shitjen e pronës publike, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për zbatimin e kësaj pike, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, ngarkohet të përcjellë pranë ASHK-së, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kërkesat dhe dokumentacionin e administruar;
b) Me kërkesë të paraqitur nga subjektet e interesuara pranë ASHK-së, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji;
c) Kryesisht nga ASHK-ja, gjatë procedurave të regjistrimit fillestar ose përmirësimit të zonës kadastrale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Roli i Zogut, Enverit dhe demokracisë

Kush i la pa tokë shqiptarët?