MENU
klinika

Sako pa mëngë

Luksi bizantin në veshjet e Beratit

23.07.2020 - 13:23

      Ku shkoi fisnikëria dhe sqima e shqiptareve duararta? Si po i mbijeton sot, artizanati dhe puna e dorës, e kuruar deri në detajet më “të padukshme”, të veshjeve popullore… “tregut”? Shqipëria e vogël, përkund histori të mëdha: trimash e luftëtarësh, zonjëzash e fisnikesh nga der’ e madhe… Asnjë pushtues, nuk e mundi shpirtin e lirë të shqiptarit, po as hijeshinë që e dallon atë, prej shumë kombeve të tjera. /Konica.al  

Mes përpjekjesh për të rimëkëmbur e kultivuar traditën e historinë, shkëpusim nga galeria e pamatshme e ngjyrave të Shqipërisë, një ndër veshjet më elegante. Përgatitur nga mjeshtrit beratas, kostumet sikur ende përcjellin jehonën e luksit bizantin – veshje që tregonte shijen, elegancën dhe finesën e grave të aristokracisë beratase dhe gjetkë, që dallohej në gjithë Shqipërinë e Jugut.

Dy të tilla, gjenden në fondin e Muzeut Etnografik dhe i përkasin mesit të dytë të shek. XIX.

Sako pa mëngë është me gjatësi deri poshtë pulpës, pas trupit në pjesën e sipërme, supe shumë të ngushtë, veref në pjesën e poshtme dhe më e gjatë nga ana e prapme – duke krijuar idenë e një veshjeje të rëndë.

Janë përgatitur me material cohe të zezë të importuar, qëndisur me tërtil ari e fill mëndafshi dhe gjashtë rreshta gajtanësh në të gjitha anët, duke krijuar një jakë gati mbretërore.

Qëndisjet janë shumë të thjeshta: vijëzime, gjarpërime, dredhëza dhe lule katërpetalesh në pjesën e përparme, qoshet fundore e në shpinë.

Sako pa mëngë, vishej me linjë mëndafshi (byrynxhyk) deri në fund të këmbëve që me kalimin e kohës u shkurtua, me mëngët e gjera qëndisur me ar e temina në ekstremitete, jeleku i shkurtër të qëndisur me ar, ndërsa mesi zbukurohej nga brez argjendi me pafta dhe gurë të çmuar.

*Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat
*Muzeu i Ikonografisë “Onufri”
*Muzeu Etnografik

 

Hera Lera