MENU
klinika

"Saharaja s'di të ëndërrojë..."

Poet, martir… apo Shqipëri e lirë?!

17.07.2020 - 13:07

        Vilson Blloshmi (18 mars 1948-17 korrik 1977) dhe Genc Leka – poetët-martirë, janë ekzekutuar nga diktatura e egër që kishte mbërthyer Shqipërinë, pikërisht këtë ditë, 43 vjet më parë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë

Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale e “agjitacion e propagandës për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor” – njofton Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Aktakuza sipas të cilës u dënua me vdekje poeti, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi, për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948, në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj edhe pse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte studimet e larta. Pas diplomimit në Elbasan, punoi si bujk, druvar dhe minator.

Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa pasur mundësi t’i botojë, për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij, do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd i dënoi dy poetët: Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, me vdekje, pushkatim, vendim që u zbatua më datë 17 korrik 1977.

Në vitin 1994, Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë”, ndërsa në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.

Në nder të dy poetëve, në qytetin e Librazhdit ngrihet memoriali prej bronzi, simbol i dy jetëve të këputura në mes.