Artisti i karrierës, Robert Ndrenika, i përfshirë që herët në debatin mbi teatrin, ka zbuluar detajet e godinës së re, të artit dhe mjeshtërisë së fjalës artistike./Konica.al
Mjeshtri ka theksuar se, është njohur dje me projektin, pasi e kanë thirrur në zyrë, regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinieri Bejleri.
Ai, falënderon Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe faktorin politik, duke nënvizuar se, të gjitha vërejtjet e tyre i ka gjetur të përmirësuara në projektin e teatrit të ri. Ndrenika, thekson se, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla.
Mesazhi i plotë dhe emocionues, i artistit shumë popullor shqiptar:
“Falënderim!
Dje, më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë. Me këtë rast, dua të bëj një falënderim (për dijeni edhe të mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica, si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin.
Të gjitha këto vërejtje, i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt, të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte’. Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkkohore, si shumë teatro europianë.
Me respekte të ndërsjella,
Robert Ndrenika”
Hera Lera