Kushdo që ka lexuar lirikat e tij të trishtuar dhe është magjepsur prej fjalës poetike plot finesë e ndjeshmëri, nuk mund të mos ketë ndërmendur një çast rrugën e vështirë, plot peripeci dhe andrralla të jetës së tij . Në shoqërinë njerëzore, vuajtja, persekutimi, mjerimi skajshëm, goditje të befta dhe mbrapshtia e fatit, janë po aq të vjetra sa dhe bota.
Por, jeta e tallazuar dhe fati aq i trazuar i Reshpjes, marrin një domethënie të veçantë kur vihet në relacion me kohët kur krijoi, me artin e tij dhe poezinë margaritar që la pas, si trashëgimi të vyer në fondin e poezisë shqipe. Frederik Reshpja njoftoi ardhjen e tij premtuese në tempullin e letrave shqipe me vëllimin e parë poetik Rapsodi shqiptare në vitin 1968, ndërsa në vitin 1973 botoi librin e dytë me poezi “Në këtë qytet”. Më tej, jeta e Reshpjes merr rrokullimën, burgoset nga regjimi komunist dhe librat e botuar i hiqen nga qarkullimi si “të papërshtatshëm” dhe “të dëmshëm për edukimin komunist të masave”. Pas një heshtje të gjatë, i harruar dhe mënjanuar , me fillimet e demokracisë, Reshpja plot vrull dhe shpresa përqafon jetën e re, përfshihet në debatet politike të kohës, fillon aktivitetin si gazetar, redaktor dhe rivendos lidhjet e këputura me poezinë e viteve të rinisë.
Në vitin 1994 boton vëllimin me titullin metaforik:Erdhi koha të vdes përsëri .Më pas boton vëllimin me titullin epitaf të jetës së tij-Në vetmi. Sakaq, krahas punës si gazetar dhe redaktor, e provon veten në një sipërmarrje, duke themeluar shtëpinë botuese dhe shtypshkronjën “Europa”. Por shumë shpejt, nga shkëlqimi përkohshëm,do të binte në mjerimin më të skajshëm. Një jetë endacaku rrugëve të Tiranës, me trupin e drobitur nga sëmundjet, i vetmuar, i shpërfillur, deri ditët e fundit të jetës së tij. Ç’ishte kjo jetë me kaq peripeci, nga vinte e ku e kishte burimin ai fat aq dorështrënguar, me një nga lirikët më brilant të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të? Ka një përgjigje dhe gjithçka duket se lidhet me artin e tij, me poezinë e tij të pazakontë dhe kohën kur krijoi. Fati ishte brendashkruar në artin e tij. Arti për Frederik Reshpjen nuk ishte thjesht vetëdija por edhe vetëqenia e tij. Reshpja ishte ”i mallkuar” me art dhe prej artit të tij. Në poezinë e tij Testament, Reshpja përcjell vetëdijen për artin si fat dhe mallkim: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!
Në parathënien e librit me proza poetike të Sharl Bodler “ Brengat e Parisit”, Ismail Kadare përsiat rreth poetëve simbolistë francezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të ashtuquajturit “artistë të mallkuar” , të mallkuar nga institucionet dhe opinioni kohës,jo vetëm për shkak të skandaleve dhe veseve por , sidomos e mbi të gjitha, për shkak të artit të tyre novator, i cili shënoi fillimet e modernitetit në poezinë europiane.Edhe Reshpja, antikonformist nga natyra, shpërfillës i konvencioneve dhe shtrëngesave ideologjike, ashtu si sivëllezërit e tij, poetët simbolistë, u perceptua prej institucioneve dhe të tjerëve si njeriu “skandaloz”. Përballë shpirtit skllav të shumëkujt dhe hipokrizisë si stil mbijetese, Reshpja me shpirtin bohem, shpalli kredon e tij : “ Unë kam lindur skandaloz dhe i lire” ! Shkrimtarët e mallkuar gradualisht u pranuan nga shoqëria dhe zunë vendin e merituar në tempujt dhe panteonet letrare kur , mallkimi i vjetër –thotë Kadare- befas u përtërit në trajtën më të zezë që mund të mendohej, në gjysmën e botës, në atë që quhej “perandoria komuniste”. Burgu, pushkatimi, internimi, persekucioni, ndalimi botimeve, lincimi, “qarkullimi në bazë për riedukim” dhe praktika të tjera të kontrollit dhe represionit, ranë si mallkim mbi poetët dhe krijuesit në Shqipërinë totalitare. Reshpja ishte një nga viktimat e këtij represioni. Në shkrimin Një prill për Fredin ( një homazh plot venerim për Reshpjen) ,ku sheston raportet e shtetit totalitar komunist me shkrimtarët , Kadare nënvizon se Reshpja u shfaq në letrat shqipe në një kohë të papërshtatshme: në kohën e parë,në diktaturë, u përball me egërsinë e shtetit, ndërsa në kohën e dytë, në demokraci, u përball me mospërfilljen. Të dyja kohët , përtej dallimit thelbësor të sistemeve politikë, kohët shoqërore pra, kishin të përbashkët mosdashurinë, klimën e ftohtë, mospërfilljen dhe egërsinë , të mjaftueshme për të thyer shpirtra të brishtë si Reshpja.
Në vitet e rinisë poezia e tij mbart një frymë optimizmi dhe patetizmi, si shprehje e iluzioneve të moshës dhe, njëherazi, si pasojë e kërkesave të ideologjisë së kohës,ku shkrimtarët dhe artistët ishin thirrur si pjesë e mekanizmave të inxhinierisë sociale për projektimin e utopisë komuniste. Me kalimin e viteve, si reflektim i peripecive të jetës dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme, poetika reshpiane dominohet nga nota trishtimi dhe melankonie.Ai që dikur në rini kishte ëndërruar të ishte si “një ylbermbi akuafortën e kohës vizatuar egër” me dhimbje konstaton : Qielli i djalërisë në sqep të një zogu U zhduk pas portës se ylbereve. Zhduket pas portës se ngjyrave djalëria Dhe mua trishtimi me mbulon Përmes poezive përjetohet ndjesia e një stine të përhershme shirash dhe duket sikur poeti futet në muzgun e perëndimit të shpresave. Poeti ndjehet i hedhur në një botë të huaj, motivet bëhen më të ftohta e boreale, peizazhet poetike më të trishta, me një hënë pikëllimi përmbi, si në gjithë ligjërimin e poezisë lirike popullore: Hëna e pikëlluar nëpër re Shkel mbi degët e shirave. Fshehur pas drurëve diku përgjon Vrasësi i vjetër, trishtimi. Eh, mundet që thika e trishtimit Diku përdhe ka për të më lënë, Fshehur nën një perëndim të thyer Fshehur nën shira hëne… Rënia e poetit është si në balada, vetmia e tij është kozmike: Dola nga guernika e kësaj nate I vrarë egërsisht, Kali i zi i pikëllimit ç’më rrezoi Dhe rashë si në balada; I vrarë nga një pranverë e kotë Braktisur nga bota e tërë. Cila “pranverë e kotë” e vrau poetin? “Pranvera mashtruese” e Tiranës e të ashtuquajturit liberalizëm në fillim të viteve 70-të apo ajo e iluzioneve të fillim viteve 90-të?Ndoshta të dyja…Përtej fatit personal, lexohet aludimi për zhgënjimin universal që sjell besimi në iluzionet utopike. Si në momentet e shkëlqimit, ashtu dhe në mjerim, Reshpja e shpërfilli jetën në skajshmëri.
Kjo neglizhencë apo mospërfillje ndaj jetës, përsëri vinte si “mallkim” prej artit. Reshpja ishte i ndërtuar prej materies së artit. Poezia ishte barra dhe kryqi prej të cilit nuk shpëtonte dot. I përhumbur nën peshën e kësaj barre, nën peshën e metafizikës së shpirtit, vetes tjetër fizike, njeriut empirik, i merreshin këmbët dhe “pesha e artit”bëhej pengesë në jetën plot kushtëzime, kurthe, detyrime, banalitete. Albatrosi i Bodlerit, si simbol për natyrën e dyfishtë të poetit: I bukur dhe madhështor në qiejt eternalë të poezisë / i ngathët , i zgërlaqur dhe krahëvarur në tokën e banalitetit dhe njëmendësisë , i shkon për shtat poetëve të klasit si Reshpja. Reshpja sfidoi kohën njerkë,fatin e mbrapshtë dhe ecjen e tij përmes botës së moskuptimit, e distiloi në përftesa poetike me imazhe impresioniste mbresëlënëse. Jetën prozaike të vetmisë dhe ekzistimit temporal, e konvertoi në poezi me frymë eternale. Kohës së jashtme,si jetë e pafat, i kundërvuri kohën e brendshme , metafizikën e shpirtit të mishëruar në artin delikat të poezisë. Përballë një bote të ashpër dhe të pashpresë, të egër dhe mospërfillëse, poeti projekton botën imagjinare ku kompeson humbjet dhe sublimon estetikisht dhimbjen. Poezia e Reshpjes është e shënjuar thellësisht prej fatit që përjetoi si individ. Por do të ishin njëlloj të mangëta në njëanshmërinë e tyre, si qasja e “zhytjes në tekst” sipas konceptit barthesian të “vdekjes së autorit”,ashtu dhe qasja sociologjizuese dhe biografike në analizën e poetikës reshpjiane. Reshpja iu largua tematikave himizuese të kombit, glorifikimit të historisë dhe patetizmit deklamativ, si shenja dominante në historinë e poezisë shqipe. Stili i tij poetik është qartësisht i dallueshëm në polifoninë e zërave poetikë të fillimeve të tranzicionit postkomunist. Poezitë e Reshpjes kanë një frymë thellësisht humane,lirizmi i tij mbart nota epike,motivet e dashurisë mbështillen me tisin e trishtimit, pikëllimi ka frymën e baladave ballkanike.
Poezitë e Reshpjes përgjithësisht janë të lakonike dhe falë përkujdesit për fjalën, hera herës ato përjetohen si forma të kulluara të bukurisë së gjuhës poetike. Duke rimarë teknikën e poezisë popullore, në poezitë si variacione rreth një motivi, përsëritja e figurave artistike përcjell rrekjen e palodhur të Mjeshtrit për të latuar formën me perfekte. Poezia e tij, sikurse ka vënë në dukje kritika, dallohet për muzikalitetin e brendshëm dhe simbolizmin tingullor. Por mbi të gjitha, poetika reshpiane dallohet për kombinimin e formës tingullimore me tablotë imazhiniste , për akuarelin e peizazheve të shpirtëzuara dhe pikturuara plot delikatesë dhe ekspresivitet: Një ujëvarë e vogël vetmon lart në mal dhe luan me ylberët. Mjegulla e hollë, ndanë dritares sime, qan me lot shiu. Përkundër qasjeve të reja avanguardiste në ligjërimin poetik të pasviteve 90- të, Reshpja shpërfaq në poezinë e tij , vizionin e një shpirti pagan parasokratik dhe perceptimin e një fëmije naiv të magjepsur prej natyrës .Falë kësaj optike antropomorfizuese,natyra shpirtëzohet dhe përmes saj projektohen estetikisht brengat, ndjesitë, gjendjet dhe drithërimat më të holla të unit poetik. Reshpja nuk ishte as misionar, sikurse thuhet në ndonjë shkrim analitik dhe as i inspiruar prej kauzave të mëdha. Poezia e tij reflekton shtjellat shpirtërore tepër personale. E megjithatë, pikërisht përmes përjetimeve tepër personale, rroken topikët e vetmisë, trishtimit dhe humbjes së dashurisë, si shqetësime universale ekzistenciale të njeriut postmodern Në këtë universpoetik të sunduar nga Perëndia e Humbjes, mes larmishmërisë së motiveve , spikatin dy figura–objekt adhurimi: ajo reale e Nënës, simbol i dhimbjes dhe dashurisë së pakushtëzuar, e vetmja Perëndi tek e cila beson dhe tjetra, Lora, me shumë gjasa funksionale, ikonë e dashurisë së pamundur, fantazma e së cilës shpërfaqet xixëlluese përmes mjegullës trishtuese që mbështjell poezitë më intime të autorit. Cikli poezive kushtuar imazheve të Lorës përshkohet nga një pikëllim i paskajshëm, ku adhurimi, lutja, obsesioni dhembërthimi pas kujtimit të saj, merr pëmasa orfeike. Lora, si simbol i dashurisë, është Euridikia e humbur, epiqendra e kozmosit dhe premisë e parandalimit të kaosit shpirtëror dhe natyror : Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit. Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave. Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty?Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët? Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! Me alkiminë e fjalës dhe brymë ëndrrash,mbi rendin material të kësaj bote të trishtë dhe rraskapitëse,Reshpja projektoi botën paralele imagjinative, universin e tij metafizik. Në këtë univers, kali i zi i pikëllimit , si shënja e kohës kur jetoi , transfigurohet në Pegason e frymës poetike që flatron për kah pakohësia. E gjithë poetika e Reshpjes është një arkitekturë kristalore, e ndërtuar me brishtësi dhe e mbushur me një frymë të epërme,delikate dhe qiellore, përballë banalitetit dhe vrazhdësisë tokësore. Kryemjeshtër i metaforave befasuese, këndonjës i vetmisë dhe pikëllimit universal, Reshpja ishte i ngjizur prej A(r) tit. o më kot nënës së tij i drejtohet: Ave, Shën Mëria ime, nëna ime! * * * Në mbyllje të këtij shkrimi – rekuiem për një nga poetet lirikë më brilantë të poezisë shqipe, nuk mund të mos shprehim një lloj habie (jofilozofike) për heshtjen e kritikës dhe studimeve serioze rreth krijimtarisë së tij cilësore. Mospërfillja që përjetoi sa qe gjallë, mesa duket, parandjeu se do ta ndiqte edhe post mortum, prandaj në poezinë Për veten time shkruan: Mbi një piedestal heshtjeje, dergjet profili im që në lindjen e gurit. Por përtej kësaj mosvëmëndjeje, për Reshpjen nuk do të ketë një Letelumharrese, por një prani të papengueshme në Letrat e poezisë shqip. Arti ishte “mallkimi” i tij i parathënë. Nëse koha e jetuar rrëzoi njeriun , arti ka forcën e ngritjes së poetit në piedestalin e pakohësisë. Ars longa, vita brevis! Sadedin Mezuraj
Nëna
Ka filluar të plaket nëna.
Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.
po mbulohet me një pleqëri të bukur.
Që është kjo rrjetë e bukur qe hedh kha mbi nënën time.
Dhe duart që më mbanin tani janë rënduar.
Po s’ka gjë. Nga shpirti i saj
Zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull
Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s’më ka pyetur kurrë pse s’kam shkruar asgjë për të
Se nëna e di
Fjalën e parë në botë ia thashë asaj
Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj.
Shënohet sot, 80-vjetori i lindjes së poetit…/Konica.al