Presidenti Donald Trump, i cili rifilloi seancat e përditshme të informimit për pandeminë e koronavirusit, tha se me numrat e rasteve që po rriten në të gjithë vendin, “Me të gjitha gjasat, fatkeqësisht (situata) do të përkeqësohet para se të përmirësohet”.
Gjatë informimit në Shtëpinë e Bardhë foli vetëm Presidenti Trump. Asnjë nga ekspertët e mjekësisë nga grupi i tij i punës për koronavirusin nuk ishte i pranishëm të martën.
Presidenti gjithashtu bëri deklaratën e tij më të fortë deri më tani në lidhje me veshjen e mbulesave të fytyrës, si një mënyrë për të ndihmuar në kufizimin e përhapjes së koronavirusit vdekjeprurës, i cili ka infektuar rreth 3.8 milion amerikanë dhe ka vrarë më shumë se 141’000, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.
“Pavarësisht nëse ju pëlqen maska apo jo, ato kanë një ndikim”, tha Presidenti Trump, duke nxjerrë nga xhepi një maskë për fytyrën. “Jam mësuar me maskën”, tha ai, pasi kishte sugjeruar prej disa muajsh se veshja e mbulesave të fytyrës ishte një deklaratë politike kundër tij.
Po të martën, kandidati i prezumuar për president i Partisë Demokrate, Joe Biden, duke parashtruar planin e tij ekonomik për vendin, fajësoi Presidentin Trump se dështoi të udhëheqë gjatë pandemisë së koronavirusit. Ai tha se ndërsa po shtohen rastet e infektimit me COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, “shumë amerikanë janë akoma pa punë dhe duke humbur shpresën”. VOA