Çmimi i lartë i opozitës politike për të qenurit brenda sferës së ndikimit të Vladimir Putin ka qenë shumë i dukshëm këtë javë.
Udhëheqësja e lëvizjes për demokracinë Bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya, mbetet në mërgim në Lituani, pasi Presidenti Alexander Lukashenko mban lidhje të ngushta me Moskën dhe sulmon kundërshtarët në Minsk.
Ndërkohë, Alexei Navalny, udhëheqësi i opozitës ruse dhe rivali i Putin, mbetet në gjendje kome pasi me siguri është helmuar, sipas mjekëve gjermanë që e trajtojnë atë.
Navalny u dërgua në Berlin me kërkesë të familjes së tij, pasi u sëmur gjatë një fluturim nga Siberia për në Moskë javën e kaluar.
Angela Merkel, bëri thirrje për një hetim të plotë dhe transparent nga autoritetet ruse dhe kërkoi që ata që janë përgjegjës të nxirren para drejtësisë.
Vitin e kaluar, Merkel u përball drejtpërdrejt me Putin për vrasjen e një kundërshtari tjetër politik në Berlin. Dy diplomat rusë u dëbuan përfundimisht pasi Moska nuk pranoi të bashkëpunonte me hetimin gjerman.
Trimëria e Navalny gjatë dekadës së fundit nuk mund të mbivlerësohet. Ai është burgosur në 13 raste për organizimin e protestave anti-Putin, ka duruar sulme fizike dhe ishte shtruar në spital pas një “sulmi alergjik” misterioz vitin e kaluar. Një ditë para se të helmohej javën e kaluar, një grup mbështetësish të rinj thuhet se e pyetën: “Pse nuk ke vdekur akoma?”
Fatmirësisht, duket se ka gjasa që ai do t’i mbijetojë edhe këtij helmimi.
Në Bjellorusi, protestat kundër diktaturës së Lukashenkos hyjnë tani në javën e tretë. Të dielën, turma të mëdha dolën në rrugët e Minsk, duke kundërshtuar forcat e sigurisë që Presidenti Lukashenko kishte urdhëruar të “zgjidhnin problemin”.
Mosrespektimi i demokracisë dhe të drejtave civile në Rusi dhe Bjellorusi është i qartë.
Ajo që perëndimi, dhe Bashkimi Evropian në veçanti, mund të bëjnë për tu përgjigjur është më komplekse.
BE ka refuzuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe do të vendosë sanksione për ata që janë përfshirë në mashtrimin e zgjedhjeve.
Është e kuptueshme që nuk ka dëshirë të shkojë më tej, nga frika e pretendimeve për hakmarrje në Moskë dhe Minsk.
Por në rast të një shtypjeje më të përgjakshme, ose një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ruse, një veprim më i fortë mund të jetë i pashmangshëm.
Marrëdhëniet me Putin kanë qenë “të ngrira” që nga helmimi i Skripal.
Mbështetja e Merkel për tubacionin e gazit Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë gjithashtu i komplikon gjërat.
Këto nuk janë çështje të lehta për t’u vlerësuar.
Evropa do të duhet të vazhdojë të merret dhe të angazhohet me Rusinë.
Në Bjellorusi, ndërmjetësimi nga Organizata neutrale për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë mund të jetë gjëja e duhur. Por, të rrish duarkryq, kur të drejtat civile janë shkelur nga pandëshkueshmëria, nuk është zgjidhje.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ Konica.al