MENU
klinika

“Për mbrojtjen e konsumatorëve”

Konsumatori vendor, bashkitë nuk kanë hapur ende zyrat

31.08.2020 - 11:41

Qeverisja vendore ka lënë në ‘mëshirë të fatit’ konsumatorët, pavarësisht detyrimit ligjor. Pjesa dërrmuese e bashkive, nuk ka zyra të posaccme për mbrojtjen e konsumatorit, duke mos ushtruar sipas parashikimeve ligjore një sërë funksionesh, që ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë qytetarët, si nga shëndeti ashtu edhe financat e tyre.

Ligji “Për mbrojtjen e konsumatorëve” i ndryshuar, si edhe Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve e Mbikëqyrjen e Tregut 2014-2020, parashikojnë ngritjen në çdo bashki të një njësie, e cila duhet të mbulojë ankesat dhe çështjet, që shqetësojnë konsumatorët.

Por, teksa jemi në muajt e fundit të 2020 dhe të “finalizimit” të kësaj strategjie, pjesa më e madhe e bashkive nuk ka një zyrë të dedikuar për qytetarët, që përballen me praktika të padrejta dhe abuzive nga ana e bizneseve dhe tregtarëve.

Në fakt, nga përgjigjet e njësive vendore, pas interesimit të Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, bie dukshëm në sy, se një pjesë e mirë e zyrtarëve të institucioneve vendore, nuk njohin ende sa duhet ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorëve” dhe rrjedhimisht edhe detyrimet, që kanë ndaj qytetarëve. Disa prej bashkive e kanë deleguar pritjen e ankesave të qytetarëve tek një veteriner, të tjera theksojnë, se e kanë në plan hapjen e zyrave vitin e ardhshëm.

Drejtorja e Qendrës,”Konsumatori Shqiptar”, që së fundmi publikoi edhe Indeksin e konsumatorit vendor, bën me dije nismën për të mbështetur, bashkitë e interesuara për ngritjen e zyrave të posaçme.

“Përkundër pritshmërive, por edhe parashikimeve ligjore, situata nuk flet në interes të konsumatorit. Megjithatë, Qendra me mbështetjen e “Lëviz Albania” në kuadër të projektit “Indeksi i Konsumatorit Vendor” do të angazhohet për hapjen e zyrave në bashkitë e interesuara, të cilat nuk kanë mundur t’a realizojnë deri tani për mungesë fondesh. Mbështetja konsiston në dhënie informacioni, krijim organigrame, materiale informuese dhe fuqizim stafi. Me ndarjen e re administrative, bashkitë u përballën me kompetenca të shtuara dhe jo gjithmonë të shoqëruara me fondet e duhura. Hapja e zyrave kërkon ndryshime në strukturë dhe buxhet. Paralelisht do të bëjmë edhe një analizë për njësitë vendore, që do të finalizohet me dhënien e një çmimi për bashkinë, që angazhohet më shumë në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve” shprehet Ersida Teliti, Drejtore e Qendra“ Konsumatori Shqiptar”.

Decentralizimi i pushtetit, i nisur me Reformën Adminstrative Territoriale në vitin 2015, pritej të afronte qytetarët më pranë vendimmarrjes, por edhe të garantonte për ta shërbime cilësore dhe mbrojtje si konsumatorë vendorë.

Vetëm Bashkia e Tiranës ka krijuar si strukturë Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit me një staf prej 188 punonjësish. Por edhe kjo agjenci nuk ka kompetencat e duhura për të ndërhyrë, në të gjitha rastet kur cënohen konsumatorët, ndaj shpesh luan rolin e bashkërendimit institucional duke i referuar ankesat në institucionet përgjegjëse.

Përveç Tiranës kanë krijuar drejtori me sektorë përkatës edhe bashkitë e Lezhës dhe Vlorës. Ndërsa njësi të tjera të mëdha vendore, në rastin më të mirë, kanë hapur një zyrë me një punonjës, që shpesh herë nuk ka profilin e duhur për të informuar, pritur ankesat e konsumatorëve dhe për të adresuar zgjidhjen e problemeve.

Por ka dhe prej bashkive të rëndësishme ( qendër qarku), sicc është Bashkia e Shkodrës, e Kukësit, apo Dibrës, që nuk ofrojnë as edhe një sportel për shqetësimet e konsumatorëve. Madje drejtues të bashkisë më të madhe të verilindjes, shprehen se Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit, nuk është detyrim për njësinë vendore.

Ndërkohë në bashkitë e Kukësit, Delvinës, Pustecit dhe Poliçanit drejtuesit justifikohen me mungesën e fondeve, për të ngritur dhe mbajtur në funksion njësi të posame për mbrojtjen e konsumatorit.

Pas miratimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve e Mbikëqyrjen e Tregut 2014-2020, asokohe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nga ku varej edhe Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorëve, zhvilloi takime me drejtues të bashkive në të gjithë vendin, në kuadër të nismës “Përfshirja e pushtetit vendor në përmirësimin e zbatimit të legjislacionit dhe rritja e nivelit të mbrojtjes së konsumatorëve”.

Seancat u fokusuan në prezantimin e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, si edhe rolit dhe funksionit, që do të kishin njësitë e posaçme në bashki. Megjithatë zyrat për konsumatorin ende mungojnë, ndërsa Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit, që do të monitoronte ngritjen dhe funksionimin e tyre, është tashmë një mini-sektor, pranë Ministrisë së Financave, Ekonomisë dhe Punës. Në faqen zyrtare të këtij Komisioni theksohet se, sigurimi i një niveli sa më të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare. Por siç duket edhe pse tashmë Shqipëria ka hedhur një tjetër hap në drejtim të Integrimit Europian, konsumatorët janë prioritet ende vetëm në parashikime ligjore, pasi situata në terren, është krejt ndryshe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN