MENU
klinika

Filtron vazhdimisht ajrin

LG sfidon Covid-19: prodhon maskën elektrike me bateri

28.08.2020 - 16:26

Pandemia e COVID-19 ka detyruar njerëzit pothuajse në shumicën e vendeve të botës që të mbajnë maska dhe të ruajnë distancën sociale, kështu që duke parë situatën, gjiganti teknologjik LG ka njoftuar se do të hedhë në treg një lloj maske të re si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Zyrtarisht, maska e re e LG-së do të quhet “PuriCare Wearable Air Purifier” dhe funksioni i saj kryesor është se e filtron ajrin ndërsa përdoruesi është duke e mbajtur. Kjo maskë e re përdor dy filtra H13 HEPA, të cilët janë të ngjashëm me filtrat që LG përdor për pastruesit e ajrit në shtëpi, dhe ato mund të zëvendësohen kurdo që është e nevojshme. Po ashtu, maska e re ka dy ventilatorë të vendosur në pjesën e brendshme dhe shpejtësia e tyre mund të rregullohet mes tri niveleve në mënyrë që frymëmarrja të jetë më e natyrshme.

Duke marrë parasysh se maska e re është një pajisje elektrike, kuptohet se duhet të karikohet dhe LG thotë se bateria mund të qëndrojë deri në dy orë në modalitetin më të lartë dhe deri në tetë orë në modalitetin më të ulët, duke iu referuar shpejtësisë së ventilatorëve.

“LG PuriCare Wearable Air Purifier” vjen me mbushës dhe me një dritë ultraviolet e cila vret mikrobet e dëmshme që mund të jenë ngjitur në maskë. Po ashtu, mbushësi mund të detektojë se kur duhet zëvendësuar filtrat brenda maskës dhe këtë përdoruesit mund ta kuptojnë përmes aplikacionit LG ThinQ për smartphone.

Një nga shqetësimet kryesore me maskën është rehatia, dhe LG siguron se PuriCare do të përshtatet në mënyrë të rehatshme në fytyrat e përdoruesve, dhe kompania thotë se është mjaft e rehatshme për tu përdorur për orë të tëra. Maska e re e LG-së pritet të prezantohet në ekspozitën virtuale “IFA 2020” dhe planifikohet që të lansohet në tremujorin e katërt të këtij viti. Sa i përket çmimit, ende nuk dihet se sa do të kushtojë.