MENU
klinika

Zakon shqiptar

Më mirë po merrem me punën tënde!

15.08.2020 - 14:54

Një mik i vjetër dhe i këndshëm tregon një proverb në formën e një fabule: njeriu mban dy thasë, njerin të ngarkuar në kurriz dhe tjetrin përpara. Ky i kurrizit është thesi i halleve personale dhe si për çdo njeri të gjallë është i mbushur plot dhe çdo ditë që kalon rëndohet më tepër.

Ky përpara është thesi i halleve të njerëzve të tjerë.
Ç’bën njeriu, në vend që të merret me hallet e veta se mos zgjidh ndonjë dhe lehtëson edhe peshën e thesit, rri dhe merret me punët e të tjerëve dhe vështirëson jetën e vet.
Ky tregim ka filluar të më kujtohet gjithmonë e më shpesh dhe arsyeja është e thjeshtë.
Jetojmë në një vend ku motoja e njerëzve është: puna e tjetrit është puna jonë.
Njerëz që kënaqen, motivohen e pse jo jetojnë që të merren me jetën e të tjerëve. Pëshpëritin pas krahëve të njëri-tjetrit lloj-lloj gjërash të vërteta e të pavërteta.
Hamendësojnë, sajojnë dhe shpifin. E kjo rutinë e kobshme e këtij mileti s’bën gjë tjetër veçse të lë mbrapa.
S’di të ketë njeri që ecën para duke parë anash a perqark. Ja që te ne ecet edhe kështu.
Është bërë mënyrë jetese.
Stil më të neveritshëm zor se gjen.
Gjithkush në fakt ankohet për këtë bezdi të madhe, madje edhe më dallaveraxhinjtë.
Edhe ata që e kanë natyrë të dytë, edhe ata që nuk i zë gjumi se ç’bën tjetri, pse e bën, kur e bën. Edhe këta kur lodhen, se hallet e botës edhe të lodhin, se të lodhin kokën jo për gjë, mallkojnë e shajnë këtë ves të keq,vesin e përgojimit.
Shqipëria është kaq vend i vogël… të shash të njohurit e tu është sikur ke sharë veten. Imagjino, ti largohesh dhe menjëherë ata njerëzit, sa më të afërt aq më e madhe mundësia për t’u përfolur, pa kthyer mirë krahët kanë filluar përgojimin.
Shajnë tjetrin dhe ndihen më mirë vetë. Shpesh e mendoj dhe gjithmonë arrij në të njëjtin konkluzion, se ata thashethemexhinjtë ndihen më të lumtur e më të realizuar sa me keq flasin për tjetrin.
Madje edhe kjo mania për t’u përgjigjur nëpër portale gjoja sikur je duke komentuar, është një thashethem i madh. Ku janë këta burra e gra që shajnë, pra përgojojnë shkruesin, portalin, që bëjnë biografitë e njërit dhe tjetrit, ku janë kur realisht vendi ka pasur nevojë. Ku është ky popull që bëhet trim nën emra Facebook-u dhe ul bishtin kur i vjedhin bankat, minierat, energjinë, pronat…
E pra, ky është theshethemexhiu.
Ai që flet fshehtas dhe s’ka trimëri të dalë përpara. Prandaj populli ynë “trim” është një popull që i pelqen thjesht të merret me fjalë e të shajë. Sepse, besomeni, kjo është gjëja më e lehtë për t’u bërë dhe vesi më i pakontrollueshëm!