MENU
klinika

"Ëndërroni", për të kuptuar realitetin!

Po sikuuur… të kishit lindur në vitin 1900?!

25.08.2020 - 17:18

       Përfytyroni pak, sikur të kishit lindur në vitin 1900!..

Kur keni mbushur 14 vjeç, fillon Lufta e Parë Botërore. Ajo mbaron, kur ju të jeni 18 vjeç, me 22 milion të vdekur. Shumë shpejt pas kësaj, një pandemi botërore, një grip i quajtur “spanjoll”, vret 50 milion njerëz.

Ju mbijetoni, por jeni i lodhur, i uritur dhe i varfër. Ndërkohë, jeni 20 vjeç.

Atëherë, kur mbushni 29, ju i mbijetoni krizës botërore ekonomike që filloi me rënien e Bursës së Nju Jorkut, duke shkaktuar inflacion, papunësi dhe uri.

Kur ju mbushni 33 vjeç, nazistët vijnë në pushtet.

Ju jeni 39 vjeç, kur fillon Lufta e Dytë Botërore, që mbaron kur ju të jeni 45. Gjatë Holokaustit (Shoáh) vdesin 6 milion hebrenj. Ndërkohë, mbi 60 milion vdekje ishte bilanci i përgjithshëm i luftës.

Kur jeni 52 vjeç, fillon Lufta e Koresë. Kur jeni 64, fillon Lufta e Vietnamit, që mbaron kur të jeni 75 vjeç. Të dyja këto, luftra jo pa ndikim në fatet e globit.

Një fëmijë i lindur më 1985-ën, mendon se gjyshërit e tij, nuk e kanë idenë sesa e vështirë është jeta,.. ndërkohë që ata kanë mbijetuar nga luftra dhe katastrofa të ndryshme.

Një djalë, i cili, ka lindur në vitin 1995 dhe tani, në moshën 25-vjeçare, mendon se është fundi i botës… kur paketa e tij në “Amazon”, kërkon më shumë se tri ditë për të mbërritur ose kur ai nuk merr më shumë se 15 pëlqime, për foton e tij, të postuar në “Facebook” ose “Instagram”…

Në vitin 2020, shumë prej nesh, jetojnë në rehati, kanë mundësi të shumta argëtimi në shtëpi dhe shpesh, kanë më shumë sesa duhet ose, sesa është e nevojshme për jetën.

Por, njerëzit ankohen për gjithçka… Megjithatë, ata kanë energji elektrike, telefon, ushqim, ujë të nxehtë dhe çati mbi kokë.

Asgjë nga këto, nuk ka ekzistuar në të kaluarën ose nuk ka qenë e thjeshtë, për ta pasur ndonjërën prej tyre. Por, njerëzimi ka mbijetuar në rrethana shumë më të rënda dhe kurrë, nuk e humbi gëzimin e të jetuarit.

Ndoshta është koha të jeni më pak egoistë, të reshtni së ankuari dhe të mos qaheni, se ju ndjek fati i keq për gjithçka. Kjo është, thjesht, periudha kur ju takoi të vini në jetë dhe duhet ta jetoni duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që jeta ju jep. Ju mund edhe të mos kishit lindur fare dhe nuk do të kishit pasur mundësi, ta provonit gëzimin e jetës. Bota ka mijëra vjet që ekziston dhe çdokush, duhet të jetojë ciklin e tij, sipas ciklit të planetit.

 

Përktheu: Flora Xhemani Baba

Përshtati: Konica.al