MENU
klinika

Petro Nini Luarasi

Racat e tjera dhe raca pellazgjike

17.08.2020 - 14:17

      Sa mundim të kolëndrijmë nëpër istorira, shohim të parën herë që stërgjyshërit tanë, Pellazgët, janë shfaqur të fortë, të shënuarshim në mes të kombeve dhe këtë e shohim në emërin e trimit të lehtë e këmbëshpejtë Aqileht, i cili ishte nderi, shija dhe bukurija e luftës së Troadhësë ku rrëfehen gjithë pronjat, të parët e vetijat e Pellazgëve në trup të Aqilehtit; kjo na çfaq të parën shkallë të rritjes në trimëri dhe nder të Pellazgëve.

Paskëtaj një kohë të gjatë vazhdon një udhë pushimi në histori gjer në kohë të çkëlqyerë e të shënuarë të mbretërve të mëdhenj: në këtë kohë të bukur të historisë sonë u dëgjua i dashuri mëmëdhethi ynë në të gjithë anët e dheut, dhe kombi ynë i çkëlqyer mbi rodhan të kombevet rrëfeu të dytën shkallë të rritjes e të mbarësisë në faqe të botësë si i gjë dhe i vlyerë. Kjo koh’ e ndritur është ajo koha trimërore që filloi Filipi, e rriti i bir’i tij Leka i Math, dhe e mbaruan Pirrua i math dhe Tefta. Në këto kohëra u puallë e mbretëruan dhe Selefqinjtë e Ptolemenjtë në Asi e në Egjypt, shqipëtarë me emër, dhe u nderua dhe u lëvdua emëri shqipëtar në Lindje e në Perëndim.

Prapë paskëtaj Shqipëria dremiti në histori dhe jetoi me një emër të padëgjuar, ndonëse dhe në këtë kohë s’mbeti shterpë Shqipëria dyke pjellë Konstantin’e Math nga Nish i Gegërisë e Justinianin, po këta trupa shqipëtarë fatkeqësia e Shqipërisë i mbuloi me emër të Romanëve (Llatinëve) për të cilëtë punuane e dërsinë.

Tani, o burra shqipëtarë, duke diturë se nderi kurrë nuk fitonetë pa djersë, dyke diturë se pa mundime të fortë nukë fitonetë kuror’ e trimërisë, të mos vëmë re ç’thonë e ç’llomotijnë armiqt’ e kombit tënë: po të bashkojmë tërë fuqitë tona kundrë çdo reziku që po tremp Shqipërinë; të shkruajmë, t’u lutemi të fortëvet të kë-saj bote, të bëjmë protestë kundrë dëmit tënë dhe të përpiqemi me çdo farë udhe për të fituarë dëshirat dhe të drejtat tona, të quajmë vëllezërë të dashurë cilindo nga tjetër kombësi që dëshiron të rrojë si mik me ne dhe gjithë tok të ngrehimë Shqipërinë, mëmëdhen’e dashurë nga lluca, ku e kanë shtënë armiqt e poshtërë. Të jemi të bindurë në udhëheqësit dhe krerët e Shqipërisë që duanë këtë punë të shënjtëruarë, të liris së mëmëdheut. Dyke paturë trimërinë me një krah, me tjatrin krah le të mbajmë urtësinë; se po s’qe kjo udhëheqës’e trimërisë, puna s’vete mbarë. Gjer dije kemi lëftuarë me mënt, me trimëri lark mëmëdheut për interesat e të huajvet, po sot kemi nevojë të lëftojmë për atë vatërnë tënë, për jetën’e vetëvehtes.

O djem Shqipëtarë! Ju o thelp i trimërisë! gjer kur nukë do t’ju ndizetë ajo sumbulla gjak e nderit dhe e sedërsë shqipëtarei? Mysliman e të krishterë! A do të duroni edhe më të çnderuarit e Shqipërisë nga armiqtë tuaj? a do të vështroni edhe më mëmëdhethin tuaj të bëhet rrëmullë nga barbarët, nga të egërtit andarë dhe armiq të ndyrë?! Shqipëtarë! Koha u shtrëngua, or’e trymbetës së të zgjuarit të Shqipërisë u afrua; në mos u përkujdesçi të bëni gjëkafshë edhe këtë herë, për lirin e mëmëdheut, më kot dhe hidhurë fort do të pendohi! Për nder tënë, të Shqipërisë dhe të emërit të vjetërë, për jetë të fëmijësë shqipëtare, le të bashkojmë zëmërtat dhe mejtimet tona edhe nënë shqiponja të flamurit të zjarrtë le të përpiqemi si burrat e qëmoçëm bashkërisht për të drejtat e mëmëdhethit, për shpëtim dhe liri të Shqipërisë!

O ju kryetarë dhe çelë të Shqipërisë, nukë kini kaqë sedër ta ngrini edhe një herë Shqipërinë në shkallë të jetësë? A po s’është mëkat edhe turp në shekull të sotmë që edhe të vdekur prej pesëmijë vjetësh u ngjallë, dhe gurët e rugavet muarë jetë e rojtje, dhe Shqipëria, ajo trim’e tërëjetëshme në këtë kohë të gjenjë vdekjen’e funtme? Ngrini zënë, thërritni për nder tuaj, mos lini varret’ e tafërvet t’uaj të pëgërenë nga andarët e qelburë të armiqvet t’anë! Mos skllavëroni vetë fëmijënë tuaj nënë atë që kini përçmuar për jetë edhe gjer dje u kishin zotër! Ndë mos u përkujdesçi për lirin e Shqipërisë, do t’u zërë keq qumësht’ i mëmëdhethit edhe bota e tërë do t’u përçmonjë!

O ju që jini të dbuarë (përzënë) jashtë Shqipërisë dhe në sy të botësë kini zbuluarë faqet t’uaj dhe u rrëfyetë që jini gjak shqipëtari dhe shqipëtarë të kulluarë! Gjer kur po shënditni si fatkeqë dyer të huaja dhe kini shpresë nga duart’e botësë të gjeni shërim dhe shpëtim të vetëhes suaj? Shqipëtarë, mos u bëni të mësheftë, mos u ngulni në dhe të gjallë, mos vdisni pa vdekur! Lëkunduni, vëllazërohuni, bashkohuni, vdisni për vehten tuaj, për fëmijët tuaj, tek po vdisni për të huaj; bëhuni shpëtonjës të mëmëdhethit tuaj, të fëmijës suaj dhe të jetës suaj, (ndë mos po bëhuni kurban për atë më të shtrënjtënë gjë në botë, për lirin e shënjtëruar.

Perëndija dhe koha po bën hir gjer tani për Shqipëri dhe or’e pëlqyerë po rrëfen se në dorë të Shqipëtarëve është ndryshim’ i shkallës së Shqipërisë për mbarë! U bëftë!

 

‘’Drita’’ – Sofie, 18 maj 1907. P. Luarasi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gjuha shqipe e rilindasve

7 Marsi i Mësonjëtores së Parë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit