Fjala është për goleadorët në 5 ligat kryesore europiane. “Sport 360” ka renditur sulmuesit që shënuan më shumë gola në të gjitha kompeticionet, me ekipin e tyre në kampionat, kupë apo gara europiane.
Nëse Ciro Immobile fitoi “Këpucën e Artë” në Itali dhe në Europë, mbreti sa u përket golave në total është Robert Lewandowski, me 54 gola në total, i shkëputur me 15 gola nga vendi i dytë.
Sulmuesi polak shënoi 34 gola në Bundesligë, 14 në Champions (mund të shënojë akoma) dhe 6 në Kupën e Gjermanisë, pa harruar edhe 4 gola me Poloninë vjeshtën e vitit të kaluar, por këto nuk janë llogaritur.
Me pak, fjalë Lewandowski është shënuesi më i mirë në 3 kompeticione: Bundesligë, Kupë e Gjermanisë dhe Champions League. Vetëm Messi më parë ka arritur të jetë shënuesi më i mirë në 3 gara sezonale.
Në vendin e dytë gjendet italiani Immobile, me 38 gola, 36 në kampionat, 1 në Kupën e Italisë dhe 1 në Europa League. Pra, produktivitetin sulmuesi i Lazios e pati vetëm në Serie A, pasi në garat e tjera shënoi vetëm 2.
Në vendin e tretë gjendet Cristiano Ronaldo me 37 gola, në vendin e katërt është Timo Werner me 34 gola (mund të kishte shënuar më shumë nëse do të kishte luajtur me Leipzig vijimin e Champions), ndërsa vendin e pestë e rrëmben Romelu Lukaku me 33 gola.
Sulmuesi i Interit ka shansin të kalojë gjermanin Werner, ose minimalisht ta barazojë, nëse shënon në finalen e Europa League ndaj Sevilla-s. Vetëm vend i gjashtë për Lionel Messin, që për herë të parë pas 15 vitesh gjendet në këtë pozicion të ulët. Argjentinasi shënoi 31 gola në total, por aq sa Sterling i Manchester Cityt.