Arkitekti, piktori edhe publicisti Maks Velo, sot do të festonte datëlindjen e 85-të. Ndonëse, ministrja e Kulturës e kujton përmes një postimi në rrjetet sociale, kritikja e artit Suzana Varvarica, rrëfen Velon si piktor dhe sugjeron ndërtimin e një muzeu për artistët e persekutuar.
E kanë krahasuar me poetin Ezra Pound dhe rrëfimi për ngjashmërinë ia rrëmbente Maks Velos, një buzëqeshje hokatare. Me flokët e bardhë të pushpuritur, vështrimin qortues, kritik si ai dhe antikonformist. Vendit, prej 4 muajsh, i mungon një nga zërat më të rëndësishëm të artit e kulturës. Maks Velo, piktor, arkitekt, publicist, kritik, sot do të kishte shënuar 85-vjetorin e lindjes, por në 7 maj 2020 një sëmundje e rëndë në gjak, ia ndërpreu rrugëtimin fizik. Përjetësinë e gdhendi përmes veprash, si salla e “Mileniumit”, pallati “Kadare”, godina e ATSH-së, shkolla “Emin Duraku”, stolin e famshëm të Parkut të Liqenit, që shënoi edhe skulpturën e parë modern në vend, qysh prej vitit 1963.
15 vite më vonë, do të arrestohej për “agjitacion e propagandë”, me akuzën se frymëohej nga “Modigliani, Braque-u dhe Picasso-ja, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”.
“Ajo lloj partie donte viktima, të cilat duhet të dëgjoheshin. Disa nga artistët shqiptarë u kthyen në viktima të komunizmit, këtu bën pjesë edhe Maksi, me krijimtarinë e tij…
Që nga vitet 1950-‘60-’70, Maks Velo i njihte mirë proceset moderne të fundit të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX në artet pamore. Pra, Maksi dhe disa nga artistët e tjerë, u nxitën për të imituar dhe për të sjellë procesin e vet figurativ”, – shprehet, Varvarica
Mbi 260 vepra të sekuestruara e të djegura, do të linin tek ai, gjurmë të thella dhimbjeje, njësoj si vitet e burgut ku do ta ndjente edhe më dorën e ashpër të sistemit komunist.
“Është një krijimtari disi ndryshe, por aspak një krijimtari që mund ta çonte të vuante nëpër burgje. Ka fillime, ka një ecuri, por ka edhe një moment që ngrihet vlaga e revoltës së tij intelektuale. Nuk është thjesht, një revoltë pa një brumë intelektual, por është një revoltë e fortë intelektuale. Prandaj, Maksi kërkonte që dikush t’i thoshte më fal. Asnjëherë, nuk e dëgjoi këtë shprehje, deri në fund të jetës së tij”, – thotë ajo.
Ndërsa, sot në këtë përvjetor, drejtuesit e institucioneve të kulturës e kujtojnë përmes postimeve në rrjete sociale, Varvarica na rrëfen se ç’duhej bërë për veprën e artistit të pakohë
“Nëse politikat kulturore të ministrisë së Kulturës do të krahasoheshin me politikat që mori bashkia Antrodoco, ku jetoi Lin Delia, do të thosha që nuk është bërë asgjë, veçse është mbyllur shtëpia e tij. Një muze, për këta artistë të persekutuar (të të gjitha zhanreve) duhet që të bëhet patjetër për ta, në Tiranë, apo në një qytet tjetër”, – përfundon studiuesja.
Do t’i rrëfente këto përjetime dhe ndjesi edhe gjatë krijimtarisë së tij letrare, me vepra, si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj.