Borgesi e koncepton, më saktë e imagjinon universin si një bibliotekë të pafundme, të përbërë nga galeri dhe rafte të paanë dhe, natyrisht, libra, të të gjitha gjinive dhe natyrave: libra rreth botës, libra rreth librave, libra mbi libra librash, për shkronjat dhe për gjuhët, madje edhe libra për vetë bibliotekën. Ka nga ata që mendojnë se biblioteka ka një cak, kësisoj ndërmarrin udhëtime të guximshme dhe të rrezikshme, me shpresën se herët a vonë do t’ia gjejnë fundin. Mirëpo, ka edhe nga ata, si i madhi Borges, që mendojnë se biblioteka është një sferë, qendra perfekte e së cilës është çfarëdolloj pike, perimetri i së cilës është i paarritshëm. /Konica.al
Shkronjat shfaqen në shpinën e librit, por këto shkronja nuk tregojnë kurrsesi se çfarë rrëfejnë faqet. Për faktin e vetëm sepse ishte pikërisht njeriu, bibliotekari i papërsosur, ai që i ka përvijuar. Mbi të gjitha, si mundet që ai, përballë vëllimeve enigmatike të universit, të jetë në lartësinë e duhur? Siç shprehet Borges, për të perceptuar distancën që ekziston midis hyjnores dhe njerëzores, mjafton të krahasojmë shkronjat e përsosura brenda vëllimeve me shenjat që dridhen në kopertinë: emra të papërshtatshëm, për më tepër të sajuar nga duar të ngathëta. Shkrimtari argjentinas përsërit papërshtatshmërinë e fjalës për të kuptuar botën, po kaq të gjerë dhe marramendëse sa galeritë dhe faqet e pafundme të Bibliotekës së tij. Sado që të përpiqeni, nuk do të jeni kurrë në gjendje të arrini një rregull absolut, sado që të kërkoni nuk do të gjeni asnjëherë një libër identik me një tjetër, do të jetë përherë një shkronjë ndryshe, një nuancë mopërputhëse, njëlloj si gjethet e së njëjtës pemë, njëlloj si krahët e pilivesave. Për më tepër, siç do të shprehej dikush, për një gur apo një re (por edhe për një person): “librat në vetvete, nuk nënkuptojnë asgjë”.
Te bibliotekarët ekziston gjerësisht një shpresë, apo bestytni, se diku në ndonjë raft të humbur prehet një libër që është përmbledhja perfekte e të gjithë librave, por – thotë Borges, – është e arsyeshme të shpresojmë, se nuk do ta gjejmë kurrë origjinën e Bibliotekës. Megjithëse, shkrimtari argjentinas e ndërmerr shpresën, nxitur më shumë nga shija, sesa nga logjika, pra pikërisht nga ngjërimi i rendit enciklopedik: Biblioteka mund të shënohet nga një sistemim që konfigurohet si një çrregullim i përsëritur, elegancën e revistës. Rendi i Borgesit është gjithmonë i mbushur me paradokse. Mandej, raftet, librat dhe shkronjat e librave, do të arrinin një pikë në hapësirë dhe kohë, ku ato të fillojnë nga e para, pafundësisht. Dhe këtu, midis gjuhëve të pafundme të Babelit që kundërshtojnë idenë e një gjuhe të vetme, hapet bota e Borgesit, një botë e përbërë nga shkronja. Së largu, një traditë e caktuar misterioze i përgjigjet thirrjes: sipas doktrinës hebraike jo vetëm gjithë gjuhët, por edhe bota mbarë rrjedhin nga shkronjat hyjnore, veçanërisht nga shkronjat që formojnë emrin e Zotit. /Konica.al
Te Borgesi, shkronjat marrin një karakter alegorik, edhe pse shkrimtarit, nuk i qaset një besim i fortë në realitetin e alegorisë. Si rrjedhojë, ndodh që botët, për vetë faktin se janë shpikur me ngurtësi dhe zell, e ngulisin veten e tyre në realitet me objektet e tyre, gjuhët e tyre dhe dukuritë e tyre fantastike. I tillë është rasti i planetit Tlön, rezultat i një pune shekullore të një vëllazërie kushtuar hartimit të një enciklopedie prej dyzet vëllimesh për atë planet, si dhe jetën e kulturën e banorëve të tij, e cila u fut në botën reale sapo lexues të ndryshëm u futën në dinamikën e saj. /Konica.al
Një libër ose një seri librash, që krijojnë një botë imagjinare që lëshohet në realitet, duke e ndotur atë sipas ligjeve më të qarta të idealizmit. Nuk është e rrezikshme të mendosh për idealizmin magjik, aq i dashur për Novalis, ku poezia ka fuqi të vërtetë mbi botën dhe poeti është një magjistar…
Borges thotë, se ai mund të ëndërrojë, të imagjinojë, të lexojë dhe të shkruajë në mënyrë rigoroze, por jo të arsyetojë ose të kritikojë, kjo për faktin se ai nuk e konsideron veten si intelektual, por një njeri i thjeshtë. Sidoqoftë, krejt e kundërta ndodh nisur nga shkrimet e tij: përshkrimet dhe logjikat e botëve të tij janë të sakta, sikurse referencat e shumta për filozofinë dhe botën e librave. Në çdo rast, duhet pasur kujdes që të mos kërkohet me ngulm një ideologji pas fjalëve të tij, sepse vetë Borges e konsideron gabim të rëndë të nënshtrojë letërsinë ndaj ideologjisë. “Mendimet, – thotë ai, – janë ato që janë më sipërfaqësore”. “Opinionet e një shkrimtari nuk kanë rëndësi”, është e rrezikshme të gjykosh një shkrimtar nisur nga idetë e tij. Për Borgesin, edhe pse jo katolik, vepra më e madhe e të gjithë letërsisë është Komedia njerëzore e Dantes. Borgesi është një anarkist individualist, që e ka urryer nacionalizmin jo për çështje politike, por për çështje etike. Kur bëhet fjalë për letërsinë, të rëndësishme janë imazhet dhe ëndrrat që shkrimtarët arrijnë të krijojnë: atje qëndron forca e letërsisë, jo në ide dhe koncepte.
Përmes historive ai na tregon se çdo shkencë, çdo doktrinë, çdo histori, çdo përbërje e shpirtit është trillim, si një histori fantastike, një ëndërr e madhe. Letërsia fillon përherë me ëndrrën, me muzën, me shpirtin e shenjtë, imagjinatën dhe, më pas, në imazhin fillestar, formohet (sajohet) gjithçka tjetër. Këtu e merr spunton Borgesi. Fantastikja nuk është një gjini, letërsia ka qenë gjithmonë fantastike: nga kozmogonitë e mitit dhe përrallat e vatrave të para.
Sipas shkrimtarit argjentinas, është e nevojshme t’i kthehemi kësaj tradite, “traditës kryesore të letërsisë”, pjesa tjetër është më tepër histori ose gazetari, jo letërsi. Realizmi është vetëm një periudhë, një episod i dy shekujve brenda harkut të gjerë të letërsisë. Fakti që Borges bën letërsi fantastike nuk është diçka e re, por diçka që është bërë gjithmonë. “Unë nuk jam aspak novator”, në thurjen e letërsisë fantastike, ai nuk bëri asgjë tjetër, përveçse vazhdoi atë që bënë arabët me “Një mijë e një net”, çfarë bënë grekët e miteve, Shekspiri, apo ajo çfarë bëri Dante. Borges është shkrimtar i tregimeve të shkurtra, sepse, ndryshe nga struktura e romanit, historitë janë spontane, natyrale, të vërteta. “Shkrimtari duhet t’i qëndrojë besnik imagjinatës së tij”, ky është sinqeriteti i tij. Letërsia artistike përbëhet nga fjalët, por mbi të gjitha, nga imazhet dhe ëndrrat. /Konica.al