MENU
klinika

Si u pranua nga LDK e Isa Mustafës marrëveshja e Mini-Shengenit në SHBA

“Devijim që të çon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia”

06.09.2020 - 14:18

Një ndër pikat më të forta në marrëveshjen e firmosur pasditen e 4 shtatorit në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit Trump është ajo e renditur e pesta që parashtron: Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj, një nismë ku synohet vendosja e një bashkëpunimi më intensiv ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Nëse kthehemi një vit pas në kohë, kujtojmë se ideja e “Mini-shengenit Ballkanik” është kundërshtuar ashpër nga udhëheqësit e partive politike në Kosovë, duke e cilësuar këtë iniciativë si një “devijim” të rrugës euroatlantike, përfshirë edhe vetë kreun e LDK, Isa Mustafa, partia e të cilit u përfaqësua nga kryeministri Avdullah Hoti, nënshkrues i paktit krah Vuçiç në Washinton.

Kujtojmë se lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pati deklraur se Mini-shengenit i çon vendet e Ballkanit Perëndimor nga në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia.

Sipas tij, këto ishin manovrime të Serbisë për të bërë bisht detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova kurrsesi, projektet e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë gatuar në kuzhinën e ish-Jugosllavisë.

Në shikim të parë këto duken projekte atraktive, por nuk duhet të harrojmë se çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së”, shkruante një vit më parë kreu i LDK-së.

Sipas tij, marrëveshja Mini-shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi.

“Marrëveshjet e tilla çojnë në një situatë kur Serbia do të mbledhë pjesën më të madhe të tatimeve në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën, në emër të Kosovën, sepse kemi kufirin me te gjatë më të. Prandaj me këtë marrëveshje sovranitetin tonë do ua kalonim vendeve fqinje”, deklaronte ai.

Ndërkohë, pas miratimit të paktit, dje ai reagoi vetëm, duke përshëndetur marrëveshjen e firmosur në prani të Donald Trump, por nuk reagoi në asnjë rresht mbi pikën e kontestuar nga ata vetë, mini-shengenin.

Kundërshtimi nga lider të tjerë në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i pari që refuzoi pjesëmarrjen në një takim të formatit të tillë, duke e cilësuar si një “devijim” të rrugës euroatlantike.

“Kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë përderisa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Vetëm kur të ndodhë kjo ne do të bëhemi pjesë e nismave të tilla rajonale si një shtet i barabartë”, pati shkruar Thaçi.

Edhe Vjosa Osmani nga LDK kritikoi kryeministrin Rama duke thënë se Shqipëria nuk duhet t’i bashkohej kurrë kësaj nisme pa Kosovën.

“Përtej kësaj, ne po shohim që jo vetëm që Serbia po e pengon Kosovën, por edhe Shqipëria e injoron atë në këtë rast. Është absolutisht e gabuar që Shqipëria të pranojë të arrijë një marrëveshje në të cilën Kosova nuk është pjesëmarrëse, madje si shtet i pavarur”, pati deklaruar Osmani në një intervistë televizive në Kosovë.

Edhe Albin Kurti, para marrjes së mandatit të tij si kryeministër (qëndroi vetëm 51 ditë në pushtet) pati thënë se kryeministri Edi Rama gaboi në hapat e bërë me Mini-Shengenin Ballkanik.

“Kur gabon në hapa e humbet topin. Për bindjen time Mini-Shegeni ballkanik është gabim në hapa sepse nis me Serbinë, nuk mund të nisesh me Serbinë. Duhet të fillosh me Kosovën. Është gabim në hapa meqë duhet të fillohet me Kosovën, me aleatë të tjerë edhe brenda NATO-s, edhe drejt BE, edhe në raport me Kosovën dhe kombin shqiptar, që na i kërkojnë edhe rilindasit sepse kjo është teza e tyre. Në fund vjen Serbia.

A nuk do të duhej që qeveria e Republikës së Shqipërisë me kryeministër Edi Ramën dhe qeveria e Republikës së Kosovës me kryeministër mua, të bëhemi bashkë në një mbledhje njëherë si dy qeveri të diskutojmë të gjitha çështjet e rajonit. Meqë është gabim në hapa dhe humbi topin, a konsideroni që tani topin e ka Vuçiç?”, tha Kurti në emisionin “360 gradë” në Ora News.

Po ashtu, edhe nga një festë me të rinjtë e Vetëvendosjes në Tiranë, Kurti tha se duhet të jemi të kujdesshëm me Serbinë, pasi kjo e fundit para tre vitesh ka tentuar një puç bashkë me Rusinë.