MENU
klinika

Superliga e Kosovës, Java 4

Drita e nis mbarë, Prishtina pëson humbjen e parë

30.09.2020 - 17:07

Ndonëse me 3 javë vonesë për shkak të angazhimeve në eliminatoret e Ligës së Europës, nisi sot sezonin e ri edhe skuadra kampione në fuqi e Kosovës, Drita, e cila mposhti me rezultatin 3-1 Besën e Pejës.

Në Gjilan u zhvillua një ndeshje mjaft interesante, me Dritën që kaloi në avantazh me anë të Kastriot Rexhës në minutën e 11’, por miqtë nga Peja rikthyen baraspeshën në minutat shtesë të pjesës së parë.

Më pas vendasit arritën të shënojnë edhe dy herë të tjera, duke marrë kështu tri pikët në ndeshjen e parë të kampionatit dhe duke konfirmuar se mbeten skuadra për t’u mundur edhe këtë sezon.

Zhgënjen sërish Prishtina, që përtej blerjeve të bujshme, është mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Trepça ’89. Në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës, sfida u vendos nga një penallti e ekzekutuar saktë nga Jashari në minutën e 82-të.

Kryeqytetasit e kanë nisur vërtetë keq kampionatin, pasi kanë marrë vetëm 4 pikë në 3 javët e para, shumë pak për një skuadër që synon të fitojë titullin kampion.

Ballkani ka triumfuar me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Llapit në Podujevë dhe është ngjitur përkohësisht në krye të renditjes, me 10 pikë në 4 javët e para të kampionatit kosovar të futbollit.

Sulmuesi Mirlind Daku ishte sërish protagonist për skuadrën nga Theranda, pasi shënoi dy herë në portën e Llapit, në minutat 50’ dhe 62’, duke i hapur udhë suksesit, që u vulos nga Blend Baftiu në minutën e 70’, ndërsa goli i vendasve në minutat shtesë shërbe vetëm për statistikë.