MENU
klinika

Formohet Liga Unike

Historike, Kosovë-Shqipëri bëhen një në basketboll

09.09.2020 - 13:37

Teksa dy federatat e futbollit po punojnë për një Kupë Mbarëkombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, basketbolli do të jetë sporti i parë mes dy shteteve shqiptare me ligë të përbashkët.

Kompeticioni i do të quhet “Liga UNIKE” dhe do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që do të marrë pjesë në inaugurimin ditën e enjte. Federata e Basketbollit të Kosovës publikoi se më 10 shtator merr udhë Lika Unike mes dy shteteve shqiptare.

Marrëveshje historike është cilësuar ajo, duke kaluar kështu politikën dhe fusha të tjera. Marrëveshjen do ta nënshkruajnë presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, në praninë e Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës. Edi Rama do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.

Po jetësohet ëndrra për zhvillimin e veprimtarive basketbollistike të trevave shqiptare. Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Ky kompeticion pritet të fillojë së shpejti, gjatë këtij edicioni sportiv, dhe parashikohet të jetë shumë interesant, duke zgjuar interesimin e tifozëve shqiptarë, kurse në parket pritet të ketë shumë rivalitet mes skuadrave.

Po ashtu, të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE, që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues.Ky projekt është përkrahur edhe nga Federata Europiane e Basketbollit.