MENU
klinika

Katër pyetje drejtuar deputetit

Liga Profesioniste e Futbollit i përgjigjet Fidel Yllit

16.09.2020 - 12:25

Dje, Fidel Ylli dhe Anila Denaj, në emër të qeverisë shqiptare mbajtën një konferencë shtypi nga ministria e financave, ku iu përgjigjen pretendimeve të klubeve të Superiores. Sjelljen e Ligës Profesioniste të Futbollit e konsideruan si shantazh, që nuk mund të pranohet.

Nuk munguan as akuzat për politizim të futbollit nga ana e këtij të fundit, por reagimi ka ardhur pikërisht sot nga Dritan Kadia. Në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të Ligës, ai i ka bërë 4 pyetje publike Fidel Yllit, duke pritur përgjigje prej tij.

“I dashur zoti Fidel! E ndoqa me vëmendje konferencën e shtypit që ju dhe Ministria e Financave, zonja Denaj dhatë dje për mediat. T’ju them të drejtën prisja një qëndrim më mbështetës për kërkesat e Ligës, të cilat në fakt janë premtime të drejtpërdrejta e të bëra fjalë për fjalë nga Kryeministri përpara 18 muajsh.

Sigurisht që është e drejta juaj të bëni politikë me gjithçka, por komuniteti i futbollit nuk ndihet i nderuar nga kjo prirje. Konferenca e djeshme e shtypit nuk iu dha përgjigje disa pyetjeve:

1) Pse nuk i përmbushni, derisa i konsideroni të drejta kërkesat e Ligës?

2) A janë prej kohësh të njohura për qeverinë kërkesat e Ligës?

3) Përse ministria e nancave do të bisedojë me ne, kur ajo dhe qeveria, siç deklaroi edhe dje, janë kundër kërkesave të Ligës?

4) Pse qeveria bën një të ashtuquajtur ligj për sponsorizimet, që nuk e ka asnjë vend europian e ballkanik? Pse nuk miraton një ligj si Maqedonia, Kosova, Hungaria, Gjermania etj. etj., “Ligjin për sponsorizimin”, që propozon Liga?

Unë si sekretar i Ligës mbetem në dispozicionin tuaj për çdo informacion që ju kërkoni. E përsëris edhe një herë ftesën në adresën tuaj, të vini për një takim në selinë e Ligës.

Gjithashtu, ju lutem t’i përcillni Kryeministrit, si i vetmi person që mund të krijojë një vullnet politik të shumicës për zgjidhjen e katër kërkesave, gatishmërinë e përfaqësuesve të tryezës së presidentëve për t’u takuar e biseduar me të. Me respekt, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste, Dritan Kadia!”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deputeti Fidel Ylli dhe Ministrja Anila Denaj

“FSHF të dalë hapur, jo presion Qeverisë”

Liga kërkon takim me Kryeministrin

Jo vetëm bojkot, klubet protesta në bulevard

Kryeministri i përgjigjet bojkotit të futbollit

“Futbollistët si skllevër, si punëtorë fasonesh”