Një lajm i hidhur për futbollin italian, por edhe atë shqiptar. Është ndarë nga jeta një nga bashkëpunëtorët e trajnerit Gianni De Biasi, Angelo Pereni. Ish-futbollist dhe ish-trajner që la gjurmë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka përcjellë një mesazh ngushëllimi.
MESAZHI I PRESIDENTIT DUKA
“Me trishtim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të Angelo Perenit, ish-zëvendëstrajner i Kombëtares shqiptare gjatë viteve 2011-2014 kur kjo skuadër drejtohej nga Gianni De Biasi.
Angelo ishte si vetë emri që mbajti, ishte njeri vërtetë i mençur. Bota e futbollit ka humbur shumë. Angelo e donte lojën, por mbi të gjitha i donte shumë futbollistët. Një njeri fantastik. Kanë mbetur shumë pak “të urtë” në botën e futbollit si Angelo.
Ishte një nder për ne të kishim në stafin teknik një njeri me kaq eksperiencë të gjatë në futboll dhe tejet të përgatitur. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqe!”