MENU
klinika

Legjenda e sportit shqiptar

Në ditëlindjen e të madhit Agim Fagu

16.09.2020 - 12:13

Sot mbush 73 vite jetë një ndër basketbollistët më të mëdhenj të Partizanit dhe basketbollit tonë kombëtar, për të mos thënë më i miri i të gjitha kohërave jo vetëm i basketbollit, por në përgjithësi për gjithë sportin shqiptar, i madhi Agim Fagu.

I biri i një legjende si Besim Fagu, një ndër themeltarët e Klubit Sportiv Partizani, sot ka ditëlindjen. Jehona e talentit të Agim Fagut, ka bërë bujë të madhe edhe në basketbollin europian dhe botëror.

Ai lindi afërsisht kur lindi klubi i Partizanit, 1 vit më vonë nga krijimi i klubit shumësportësh. I lindur te fidanishtja e basketbollit te kuq, e nis te Partizani shkëlqimin që 15 vjeç.

Shumë herë kampion me fanellën e Partizanit, plot 8 tituj kampioni, kapiten i ekipit, Agim Fagu mbetet në kujtesë si një basketbollit i shkëlqyer, pikëshënues i kalibrit të lartë, njeriu qe zgjidhte ndeshjet me koshat e tij te rendesishem, lider i madh i Partizanit në vitet ‘60-‘70, basketbollist i kalibrit ndërkombetar, atij europian dhe botëror.

Me dhjetëra ndeshje ndërkombëtare me Partizanin në kupat e Europës, ku Partizani shkroi emrin e “domainit” në basketbollin europian. Veçohet ndeshja e madhe, e para për basketbollin shqiptar në Europë për klube, barazimi historik me Oransodën në dhjetor 1968, Partizani vs Oransoda 73-73, ku Agim Fagu shenoi 48 pikë.

E si pasojë e kësaj superperformance europiane, ai u selektua 2 herë në formacionin më të mirë të Europës, i vlefshëm për ndeshjet e kortezisë që zhvillonte FIBA. Vetë trajneri i Oransodës, Stankovic, thuri elozhe për talentin e madh të Agim Fagut.

Për shumë specialistë të basketit, ndër tyre dhe ish-trajneri i tij Astrit Greva, Fagu është basketbollisti më i madh shqiptar i gjithë kohërave. Ka pasur edhe vlerësime më pikante për të kur e quanin Moxartin apo Shtrausin e basketbollit tonë.

Ai mban titullin Mjeshtër i Madh i Sportit. Disa herë fitues i anketës 10 sportistët më të mirë të Shqipërisë. Përgjatë 14 viteve luan vetëm me “Partizanin”, fiton me të 8 kampionate kombëtare. 7 Kupa të Shqipërisë, merr pjesë në 8 edicione të Kupave të Europës, merr dhjetëra çmime ndërkombëtare e kombëtare midis të cilave:

Mjeshtër Sporti në 1967, Mjeshtër i Merituar Sporti në 1969, në Turneun Olimpik në Holandë 1972 shënuesi më i mirë, në Kampionatin Europian në Gjermani 1974 shënuesi më i mirë.

agim fagu dhe pavlina evro

Njërin prej yjeve të basketbollit shqiptar, magjistarin e topit, shumëkush e kujton si “Zotëria 48”. Kjo pse, pas ndeshjes Partizani-Oransoda, ku Fagu shënoi 48 pikë, gazeta italiane “Corriere della Sera” e epiteton pikërisht “Mister quarantotto”.

I urojmë Gimit, siç e thërrasin Agim Fagun, edhe 100, plot shëndet e mbarësi!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


50-vjetori i ndeshjes historike

Presidenti dekoron ikonat e basketbollit