MENU
klinika

50-vjetori i ndeshjes historike

Presidenti dekoron ikonat e basketbollit

28.12.2018 - 19:24

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një ceremoni të zhvilluar sot pasdite në Presidencë, ka pritur e dekoruar disa nga ikonat e basketbollit shqiptar, njerëzit që ndër vite kanë bërë emër në këtë sport, duke fituar tituj e rivalizuar me gjigandët europianë në arenën ndërkombëtare.

Pikërisht një event i rëndësishëm ndërkombëtar ka mbledhur yjet e basketbollit shqiptar të vitit 1968, vit ku Partizani barazonte 73-73 ndaj kampionëve të Italisë, Oransoda, rezultat që për kreun e shtetit shqiptar është një ngjarje e jashtëzakonshme e sportit tonë.

Ndaj, presidenti Ilir Meta, ka vendosur të dekorojë trajnerin e atij ekipi, Astrit Greva, kapitenin legjendar Agim Fagu, si dhe disa nga sportistët e atij ekipi, si Dodan Përmeti, Guxim Bekteshi, Edmond Moja dhe Spartak Boshnjaku, që shkruan historinë e basketbollit shqiptar.

agim fagu
agim fagu

“Në përmbyllje të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, vlerësimi me Titullin e lartë që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, në rradhë të parë i takon atyre që kanë bërë më shumë për promovimin e Shqipërisë në Europë, ekipit të “Partizanit” në basketboll meshkuj të vitit 1968.

Me rastin e 50-vjetorit të asaj ndeshje historike kundër Oransodes, ekipit kampion të Italisë dhe Europës, pata nderin t’i dorëzoja kapitenit legjendar, z.Agim Fagu, Dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Po kështu ishte kënaqësi të vlerësoja me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, trajnerin e jashtëzakonshëm, z.Astrit Greva, i cili u përball me një nga trajnerët më të mëdhenj të botës, jugosllavin Stankoviç.

astrit greva
astrit greva

Kënaqësi të vlerësoja edhe z.Dodan Përmeti, z.Guxim Bekteshi, z.Edmond Moja dhe z.Spartak Boshnjaku.

 Mirënjohje edhe të gjithë lojtarëve të atij “Partizani” legjendar që ndaloi atë mbrëmje magjike yjet e Italisë, Amerikës e Argjentinës, duke i bërë shqiptarët krenarë dhe besimplotë për të qenë të barabartë me më të mirët e Europës deklaroi Meta gjatë ceremonisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidenti dekoron ekipin vlonjat

Mposhti Barcelonën, dekorohet Flamurtari