MENU
klinika

Ikonat e Shqipërisë

Fagu: Evro, mbretëresha e sportit shqiptar

30.12.2018 - 18:18

Ditët e fundit, dy nga ikonat e sportit shqiptar, Pavlina Evro dhe Agim Fagu, janë dekoruar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Pavlina Evro mori titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, në vizitën që Meta bëri pak ditë më parë në Korçë.

Natyrisht, një titull që jo vetëm në Korçë, por në mbarë Shqipërinë, as e diskutojnë, pasi ish-atletja e famshme e ka merituar për rekordet dhe çmimet që ka marrë, si në Shqipëri, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke u shpallur kampione Europe.

Një ditë më pas, Meta nderoi ekipin e basketbollit të Partizanit për meshkuj, atë ekip që 50 vjet më parë nderoi Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Të njëjtin titull, si Evro, mori edhe Agim Fagu. Ajo që ra në sy, nuk ishin titujt, pasi dy ikonat e sportit të sipërpërmendura janë vlerësuar me shumë tituj e çmime të tjera.

Po çfarë i lidh këto dy kampionë të mëdhenj? “Kodi i Kampionëve” – shkruan Pavlina Evro. “Erdha nga Selaniku në Korçë, pasi isha e ftuar në ceremoninë e vlerësimit të sportistëve korçarë ndër vite. U ndjeva shumë mirë, pasi u vlerësuan shumë figura.

Personalisht, më shumë se sa titulli nga presidenti, që natyrisht e vlerësoj shumë, ajo që më emocionoi më shumë ishte prania e Agim Fagut, që kishte udhëtuar nga Tirana për në Korçë vetëm për mua, edhe pse sapo i kishte ardhur djali nga jashtë, ku po studion.

Nuk kishte kënaqësi më të madhe se të më uronte një kampion si Agim Fagu, ishte surpriza më e bukur. Nuk dua të ul nderimet e kampionëve të tjerë, por të vish në Korçë vetëm për 1 orë ceremoni, vetëm për mua, nuk e di, por u ndjeva jashtëzakonisht e vlerësuar nga ikona e sportit Agim Fagu” – u shpreh Pavlina Evro për “Konica.al”.

fagu dhe evro
fagu dhe evro

Pas këtyre fjalëve plot emocion të kampiones së atletikës, i morëm edhe një prononcim të shkurtër legjendës së gjallë Agim Fagu, i cili me modesti të tepruar tha:

“Është minimumi që mund të bëja për Pavlina Evron dhe për figurat e tjera të sportit korçar. Për mua, Pavlina është mbretëresha e sportit shqiptar. Sakrificat dhe rezultatet e saja kanë qenë mbresëlënëse për kohën, një ambasadore që në vitet 80’ për Shqipërinë.

Evro ishte ndër femrat e pakta të kohës që i dha sportit një dimension tjetër, sidomos në atletikë. Ishte vërtet kënaqësi që isha i pranishëm në dekorimin e saj dhe i uroj suksese në misionin e saj si diplomate.”

agim fagu

Kujtojmë se Fagun dhe Evron i lidh edhe një fakt tjetër. Agim Fagu ka qenë Ambasador i Shqipërisë në Angli, duke marrë edhe vlerësimet maksimale në punën e tij. Ndërsa Pavlina Evro vijon të ushtrojë Konsullen e Selanikut, teksa është vlerësuar si diplomatja më e mirë vitin 2017.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN