Pas Giacomo Vrionit, një tjetër shqiptar i bashkohet Juventus, më saktë, ekipit U-23. Albian Hajdari nga dita e sotme është zyrtarisht pjesë e bardhezinjve, me marrëveshjen, që ishte arritur që në muajin korrik.
17-vjeçari luan në qendër të mbrojtjes dhe konsiderohet si një nga talentet më të mëdha në Zvicër. Ai është rritur dhe formuar në akademinë e Basel dhe tani do të provojë të luajë në një vend, ku futbolli është më i zhvilluar.
Hajdari ka kaluar te bardhezinjtë për shifrën e rreth 4 milionë eurove, por në operacion është përfshirë edhe talenti Cali Sene, që ndërron anët me mbrojtësin. Gjithçka është pasqyruar si një blerje-shitje, por në të vërtetë është një këmbim.
Ditën e sotme klubi i Juventus e ka federuar dhe Hajdari mund t’i bashkohet ekipit dhe është i gatshëm të debutojë si juventin. Hajdari me Juventus U-23 do të ketë mundësi që fillimisht të luajë në Serie C dhe, në rast se paraqitjet e tij janë pozitive, nuk do të ishte surprizë të debutonte me ekipin e Pirlos.