MENU
klinika

Moto GP

Pesë pozitivë pas garës në Misano

23.09.2020 - 14:12

Pesë persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 pas garës së zhvilluar ditën e diel në pistën italiane të Misano në Moto GP. Bëhet fjalë për 5 teknikë, të cilët janë vendosur menjëherë në izolim në hotelin ku ishin akomoduar. Për fat, të 5 personat janë asimptomatikë.

Bëhet fjalë për 3 inxhinierë të tre skuadrave të ndryshme, si dhe për dy teknikë të Dorna-s, kompania që menaxhon garat e Moto GP. Ndërsa të gjithë personat e tjerë që kanë qenë në bokse gjatë fundjavës së fundit në Misano kanë dalë negativë.

Në fundjavë Moto GP do të ketë garën e tetë sezonale në Katalonjë të Spanjës. Për momentin kryeson Andrea Dovizioso me Ducati, me 84 pikë, ndjekur me vetëm 1 pikë më pak nga Fabio Quartararo me Yamaha Petronas dhe Maverick Vinales me Yamahën zyrtare.

Joan Mir me Suzuki në vendin e katërt, ndërsa Valentino Rossi ndodhet në vendin e nëntë me 58 pikë. Interesante është fakti se në 7 garat e zhvilluara deri më tani ka pasur 6 fitues të ndryshëm. Kjo e ka bërë sezonin tërësisht të hapur, saqë mjafton 1 fitore dhe katapultohesh në krye. Kjo edhe për faktin se kampioni Marc Marquez ka munguar që pas rrëzimit në garën e parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN