MENU
klinika

1 miliard dollarë investime

SHBA angazhohet të mbështesë zhvillimin e Kosovës

22.09.2020 - 08:35

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe drejtori ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje të re për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA.

Deklarata u nënshkrua në Qeverinë e Kosovës në praninë e presidentit Hashim Thaçi, dhe të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell. E pranishme ne ceremoni ishte dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani e cila më herët pati replika me Grenell ne rrjetet sociale rreth marrëveshjes së nënshkruar në Uashington

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti konfirmoi se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit. Hoti u shpreh i bindur se me këto projekte do të hapen mijëra vende të reja pune dhe se vizita e delegacionit amerikan dëshmon për seriozitetin e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ky është një moment i ri që do të sjellë zhvillim ekonomik, jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin. Do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe shpresojmë të arrijmë së shpejti edhe marrëveshjen politike”, tha Hoti duke shtuar se nuk e di se kur mund të arrihet kjo e fundit.

Drejtori ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, ka sqaruar se portofoli i investimeve kap vlerën e 1 miliard dollarëve dhe përveç infrastrukturës do të shtrihet edhe në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar.

Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, sqaroi Boehler.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi se është shtyrë personalisht nga presidenti Trump që të vijë në Kosovë dhe të inkurajojë zbatimin e shpejtë të marrëveshjes.

“Ne nuk duam vetëm fjalë boshe, por duam t’i tregojmë popullit të Kosovës, që i kemi aleat të fuqishëm, se duam që të qëndrojmë përkrah jush drejt zhvillimit ekonomik”, tha Grenell.

Ai paralajmëroi se brenda 30 ditësh, ekipet amerikane do të vijnë në Kosovë për dy studime fizibiliteti në fushën e energjisë, projekte që sipas tij do të gjenerojnë mijëra vende të reja pune.