MENU
klinika

Ja ç’thonë ekspertët

A është e sigurt të udhëtoni për pushime?

11.10.2020 - 11:21

Fundviti po vjen shpejt dhe njerëzit mund ta gjejnë veten në dilemën mes të qëndruarit në shtëpi për pushimet e dimrit apo të vizitojnë një vend të caktuar me miqtë ose familjen në sfondin e një pandemie vdekjeprurëse.

CNN ka kryer një sërë intervistash me ekspertë mjekësorë, për të kuptuar se si të zvogëloni rreziqet e një udhëtimi dhe rastet kur duhet t’i evitoni ato totalisht.

A duhet të udhëtoni për pushime këtë vit?

“Ndoshta jo, nëse jeni të shqetësuar, ndiheni si të pasigurt apo të pambrojtur”, thotë Dr. Richard Dawood, një specialist i mjekësisë së udhëtimit.

“Sidoqoftë, një udhëtim mund të jetë një zgjedhje e mirë nëse jeni të gatshëm të jeni të kujdesshëm, të ndiqni rregullat dhe të përshtateni lehtësisht me ndryshimet e planit”, u shpreh ai.

Dr. Henry Wu, drejtor i Qendrës Emory TravelWell dhe profesor i asociuar i sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Emory në Atlanta, thotë:

“Unë mendoj se dëshira për të udhëtuar në këtë kohë duhet të jetë akoma më e lartë se para pandemisë. Nëse vendosni të udhëtoni, përpiquni ta mbani grupin e vogël dhe të merrni masa paraprake, të tilla si mbajtja e një maske dhe praktikimi i distancës sociale, si dhe higjiena e mirë e duarve.”

Kush nuk duhet të udhëtojë?

Njerëzit të cilët janë veçanërisht të prekshëm ndaj sëmundjeve të rënda janë më të sigurtë duke qëndruar në shtëpi.

“A jeni të moshuar,a keni sëmundje kronike të rëndësishme?”, këto janë disa nga pyetjet që duhet t’i bëni vetes, thotë Dr. William Schaffner, një specialist i sëmundjeve infektive.

Njerëzit që po mendojnë të takohen me të afërm apo miq, të cilët janë disi më të pambrojtur për disa nga arsyet e mësipërme, duhet ta mendojnë mirë dhe të peshojnë rëndësinë e kushteve të tyre mjekësore.

A janë disa vende më të sigurta se të tjerat?

Sigurisht, përbëjnë më pak rrezik vendet ku infeksionet mbeten të ulëta, megjithëse ende zbatohen masat paraprake standarde.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u kujtojnë njerëzve se rreziku i infektimit rritet kur udhëtoni nga ose në komunitete me numër dhe shkallë të lartë të të infektuarve.

A ofron mbrojtje testimi?

Testimi mund të ndihmojë në kapjen e infeksioneve të koronavirusit para udhëtimit, tha Wu, “por testimi nuk ka efekt mbrojtës apo absolut.”

Një test mund të dalë edhe gabimisht negativ, ndërkohë që ju mund të infektoheni edhe gjatë një udhëtimi dhe të jeni potencial infektimi për të tjerët.

Cila është mënyra më e sigurt për të arritur në destinacion?

“Të ecurit me makinë u jep njerëzve zakonisht më shumë kontroll mbi ndërveprimet e tyre me njerëzit e tjerë”, thonë ekspertët.

“Automjeti juaj, ose një avion privat!” është mënyra më e sigurt për të udhëtuar, thotë Dawood.

(Le të mbetemi te automjeti.)

Minimizimi i kontaktit kur dilni nga makina është thelbësor, thotë Schaffner. Maskohuni kur jeni jashtë automjetit, bëni shumë pak ndalesa, shumë të shkurtra dhe vendosni për ushqimin përpara se të hyni brenda në një restorant.

Me udhëtimet ajrore, “ju jeni më shumë në mëshirë të asaj që po ndodh rreth jush”, tha Schaffner.

Megjithatë, mbajtja e maskave, higjiena e mirë e duarve dhe ruajtja e sa më shumë distancës sociale është e rëndësishme kudo.

A duhet të qëndroni me familjarë, të afërm apo miq?

Schaffner i mendon hotelet si vende qëndrimi më të sigurta, sesa shtëpia e një të afërmi, por me kusht që të shmangni takimet në ashensor apo zona të tjera publike, si dhe të shfrytëzoni më shumë opsionin e shërbimit në dhomë.

Kur jeni me shumë familjarë apo miq, duhet të pyesni veten: A ka ndokush në rrezik të lartë për sëmundje të rënda? Çfarë lloje të masave paraprake dhe rreziqeve marrin mysafirët dhe mikpritësit e mi çdo ditë?

Wu nuk ka një përgjigje strikte nëse qëndrimi me miqtë dhe familjen ose në një hotel është më i sigurt.

“Një numër faktorësh hyjnë në lojë”, thotë ai, “duke përfshirë aftësinë tuaj për t’u distancuar në mënyrë të sigurt”.

Për qëndrimet në të njëjtën shtëpi me njerëzit e tjerë, “merrni parasysh nëse familja që po vizitoni ka qenë në gjendje të izolohet dhe të marrë masa paraprake.

“Grupet e mëdha, veçanërisht nëse vijnë nga familje të ndryshme ose vendndodhje gjeografike, mund të rrisin rrezikun e infektimit,” tha Wu.

Opsioni shumë më i sigurt?

“Merrni një gjel deti të vogël dhe qëndroni në shtëpi”, thotë Schaffner.

Burimi: CNN