Libri, prej kohësh shumë i njohur botërisht i Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është përkthyer për herë të parë, në gjuhën turke. Titulli i veprës së njohur, botuar tashmë edhe në turqisht, është “Ölü Ordunun Generali”.
Libri është përkthyer nga Ece Dillioğlu, e cila, më parë ka përkthyer në gjuhën turke edhe vepra të tjera nga gjuha shqipe.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua së pari, më 1963 në Tiranë – fillimisht si tregim, në vitin 1962. Pas këshillës së botuesit Drago Siliqi, Kadare e ripërpunon dhe sjell veprën që të gjithë njohin sot.
Përkthyer në disa gjuhë, kjo vepër i dha autorit njohje ndërkombëtare. Po ashtu, është vlerësuar nga prestigjiozja pariziane “Le Monde”, si një ndër 100 librat e shekullit XX.
Romani frymëzoi dhe u përshtat në zhanre të tjera të artit, si filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, nga Dhimitër Anagnosti, apo përshtatja në filmin dramatik “Il Generale dell’armata morta”, të italianit Luciano Tovoli, më 1983.